NGA BLEDIAN KOKA
Me fitoren e zgjedhjeve i vetëm, Edi Rama u duk më i fortë se kurrë. Me 74 deputetë të PS dhe 4 deputetë të aleatëve të fshehtë, ai shfaqet si një mbret i pashpallur, që do qeverisë pa patur nevojën e askujt, një tepsi e gjitha për vete. Ilir Meta i degdisur në Presidencë, me 19 deputetë, bashkë me Lulzim Bashën që vuan mosbesimin e partisë, paraqesin një opozitë të pamjaftueshme.
Me mediat nën kontroll, me marrëdhëniet ndërkombëtare të favorshme, duket sikur zgjedhjet kanë vendosur për më shumë se 4 vitet e ardhshme. Një qeverisje e gjatë, e një njeriu që ka marrë gjithçka nën kontroll. Por vetëm pak pas betimit të qeverisë, gjithçka ka ndryshuar. Një llogari e bërë gabim po rrënon me shpejtësi Edi Ramën dhe piramidën e tij të frikshme. Si një llavë vullkanike që po shkatërronte një mal nga brenda, duke djegur ç'gjene përpara. Ka filluar me Saimir Tahirin, për ta shndërruar gjithë Rilindjen në një terren përvëlues për të gjithë ata që rrugëtojnë në të.
Çfarë ka ndodhur? Çfarë ka bërë gabim Edi Rama? Kush po e djeg tokën nën këmbët e tij? E vështirë të zbulohet çfarë po ndodh brenda malit, por është e thjeshtë të kuptohet gabimi i Edi Ramës. Me marrjen e pushtetit i vetëm, duket qartë se ai nuk ka llogaritur ç’do të ndodhë dy vjet më pas, kur zgjedhjet lokale të kërkojnë një koalicion për të marrë pushtetin.
Në të gjithë vendin, por sidomos në Tiranë, ku benjamini i tij, i njohur si "pasuesi", ka vendosur të ndërtojë të ardhmen politike. Erjon Veliaj që bashkë me Arbian Maznikun, prej kohësh llogarisin jo vetëm rezultatin e fitores së Edi Ramës natën e 25 Qershorit, por që prej asaj nate edhe shanset e humbjes së tyre. Ata kanë kuptuar po atë çast se me fitoren e Edi Ramës i vetëm, sapo kishte ndodhur një gabim, jo për “timonierin”, por për “pasagjerët” që janë me sytë nga kollutku i shoferit. Largimi i LSI, rrezikonte karrierën e tyre. Numrat flisnin qartë për këtë. Në Bashkinë e Tiranës, 25 qershori nxori një rezultat pesimist për zgjedhjet lokale. PD dhe LSI kishin më shumë vota se PS.
Ndërkohë që Saimir Tahiri, i djegur nga brenda dhe nga jashtë, do të punonte kundër Rilindjes që e flaku për të shpëtuar veten, kandidimi i Veliajt në 2019 mund shkatërronte përfundimisht karrierrën e tij. Të mos kandidonte akoma më keq. Ata kuptuan se Rama, me grykësinë e tepsisë dhe me papërgjegjshmërinë e timonit, bashkë me LSI dhe PD, po i shtonte tëk lista e të uriturve për pushtet. Kështu, megjithëse Rama e zboi LSI-në, Veliaj vendosi ta mbante afër, duke i bërë karshillëk Kryeministrit. Në kulmin e konfliktit me Ramën, LSI voton pro Veliajt në Këshillin Bashkiak. Dukej si një zgjidhje, pavarësisht se e panatyrshme. Kjo, deri ditën kur Monika u fut në oborrin e PD-së dhe vendosi të bashkohej me Bashën në Frontin Opozitar. Ky ishte konfirmimi i një beteje që në 2019 nuk do ta kursejë Erjon Veliajn.
Një kandidat i përbashkët i Frontit Opozitar, paralajmëron një humbje të sigurtë për të. I mbetur pa rrugëdalje, zhveshja nga pushteti e Saimir Tahirit, largimi i tij nga skena politike, nuk i mjaftonte Erjon Veliajt. Në 19 muajt e mbetur, duhet të shpëtojë karrierën e tij. Pas krijimit të Frontit Opozitar, Velaijt i ka mbetur vetëm një rrugëdalje, të zërë vendin e Edi Ramës. Endrrën për pushtet maksimal, mund ta humbasë në një ditë me Bashkinë. Që të shmanget ajo ditë, marrja e vendit të Ramës është e vetmja rrugë. Një rrugë kjo që është nisur brenda trupit të PS si një llavë vullkanike, brenda një mali që po shpërthen. Tymi ka filluar të dalë…