26shtator 2015 – Vetë punonjësja e larguar nga puna nga Bashkia e Tiranës, Violeta Geca e konfirmon këtë fakt. Ajo tha për mediat se, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj e ka kapur për krahu për ta nxjerrë me forcë nga zyra ku Geca kishte hyrë për t’i kërkuar llogari pse e hoqën nga puna, si specialiste e magazinës.
“Shkova të kërkoja sqarime nga kryetari i Bashkisë për arsyen e largimit tim nga detyra. Ai më kërkoi të dilja jashtë. Brenda ka qenë edhe shefja e kabinetit. Dhe në moment nxehje e sipër, duke më treguar gjykatën e në tone të acaruara, kam pasur dhe celularin në dorë dhe e kam goditur me të dyja duart në faqe. Dhe normalisht ai u shty, por ndërkaq, edhe më ka goditur. Gjërat ndodhën shumë shpejt”, shprehet Geca.
E pyetur nga “newsbomb”, ajo tha se ka ndërhyrë edhe bodigardi, por në këtë moment ka goditur edhe shefen e kabinetit. Për këtë ngjarje, punonjësja e shkarkar është thirrur për 1 orë në komisariat, por është lënë e lirë pas dëshmisë. “Tani duhet të ndjek çështjen e largimit tim nga puna. Por as telefonin nuk e kam se ka mbetur te zyra e kryetarit të Bashkisë”, tha Geca.
Nga ana tjetrër, stafi i bashkisë e ka mohuar se Veliaj të jetë qëlluar nga ish- vartësja e tij.
/portali DurresLajm/





