Kryebashkiaku në detyrë i Tiranës, Erion Veliaj, ka regjistruar emrin e tij në listën e zgjedhësve të Bashkisë së Durrësit, duke ndryshuar vendin e tij të votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Përmes një kërkimi në listën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është konfirmuar se Veliaj është shtuar në listën e zgjedhësve të Durrësit, që do të thotë se ai nuk do të votojë më për kandidatët e Partisë Socialiste në Tiranë, por vota e tij do të shkojë për ata të Qarkut të Durrësit.

Erion Veliaj, i cili është aktualisht i paraburgosur në Burgun e Durrësit, u arrestua më 10 shkurt të këtij viti me urdhër të SPAK-ut, nën akuzat e korrupsionit pasiv dhe pastrimit të parave. Regjistrimi i tij në këtë qytet ka krijuar diskutime për mundësinë që ai të mund të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme, edhe pse ndodhet në paraburgim.