Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për çështjen e shkarkimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, duke i dhënë të drejtë kryebashkiakut dhe duke rrëzuar vendimet e Këshillit të Ministrave dhe Presidentit të Republikës.

Në seancën plenare publike të datës 31 tetor 2025, Gjykata Kushtetuese, e kryesuar nga Holta Zaçaj dhe me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve, shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga Erion Veliaj, i përfaqësuar nga avokatët Alban Dokushi dhe Ermal Yzeiraj. Si subjekte të interesuara në proces ishin Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Ministrave.

Me shumicë votash, Gjykata vendosi pranimin e kërkesës dhe shfuqizimin e vendimit nr. 539, datë 25 shtator 2025 të Këshillit të Ministrave “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, duke e cilësuar atë si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dekretin nr. 350, datë 01 tetor 2025 të Presidentit të Republikës “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore”, për pjesën që lidhet me Bashkinë Tiranë, duke konstatuar shkelje të neneve 115, pikat 2 dhe 3 të Kushtetutës.

Vendimi parashikon gjithashtu vazhdimin e masës së pezullimit të efekteve juridike të dekretit presidencial për zgjedhjet vendore në Tiranë, deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Ai është marrë më 3 nëntor 2025 dhe është shpallur më 12 janar 2026.

Në vendim shkruhet: “Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili ka marrë për bazë vetëm faktin e mungesës tremujore në detyrë, nuk ka analizuar shkakun, rrethanat dhe as ndikimin e mungesës në ushtrimin e detyrës, duke mos vlerësuar nëse kjo situatë rridhte nga veprimet ose mosveprimet e vet kryetarit dhe nëse ajo mund të konsiderohej shkelje e rëndë e Kushtetutës ose e ligjeve.

Megjithatë, duhet vënë në dukje se është e mundur që mosparaqitja në detyrë për një periudhë të pandërprerë tremujore të përbëjë shkelje të rëndë në ushtrimin e detyrës nga kryetari i bashkisë, por gjithnjë kur ai mund dhe duhet të mbajë përgjegjësi, në ndryshim nga rasti konkret, ku kërkuesit nuk i atribuohet asnjë lloj përgjegjësie juridike. Në këtë rast shkelja e rëndë ka të bëjë me mospërmbushjen thelbësore të detyrës me vullnetin e tij, duke mbajtur në konsideratë se kryetari i bashkisë është organ ekzekutiv monokratik”.