Nga Gladiola Busulla

DURRËS, 19 tetor 2014 –  Profil qytetar: Skulptorja durrsake Erisa Bekteshi

Kush është Erisa?      

Që e vogël, kohën time të lirë e kaloja me lojrat e mia të preferuara. Ndër  to ishin aplikacionet me letrat e prera (kolazhi) ngjyrat dhe plastelina. Në moshën 11 vjeçare u regjistrova në Q.K.F Durrës, duke filluar angazhimet e mia serioze në botën e madhe të artit. Në vitin 1998-1999  fillova vitin e parë në shkollën artistike" Jan Kukuzeli ", si dhe finalizimi i shkollimit në Akademinë e Arteve të Bukura Tiranë. Specializimi: materialet e përziera, dega SKULPTURË.

Si lindi pasioni për skulpturën?  

Mbaj mend që kur isha në Qendren Kulturore të fëmijëve, Durrës fillova të merrja pjesë në konkurse dhe ekspozita ku vlerësohesha me çmime të ndryshme.                         Keni dikë që ju ka mbështetur dhe inkurajuar në mënyrë të veçantë?                                    

 Padyshim që mbështetësit kryesorë janë prindërit e mi. Por nuk mund të lë pa përmendur dhe mësuesit e mi, të cilët meritojnë respektin më të madh, për punën e tyre pasionante dhe të palodhur; Shpresa Beqiri e Gavril Priftuli. Gavrili si profesori im, herë pas here bënte sugjerime në punët e mia të vizatimit, pasi ai vinte re potencialin e fortë në kërkim të formave tridimensionale dhe më orientoi kështu, drejt skulptures. Me këmbënguljen e tyre, profesorët e mi më çuan drejt studimeve të mëtejshme.        

                                                                                                                                                                                                                              Ç’sensacione ju dhuron sendërtimi i materies në një vepër arti?

Është një kënaqësi e veçantë, kur një materiali në dukje të pavlerë, i jep jetë. Dhe kënaqësia më e madhe është komunikimi reciprok, me shumë dashuri.                                                                                                                                                                  

 Me ç’materiale preferoni të punoni kryesisht?                                                                        

      Materialet e mia të preferuara, me të cilat punoj kryesisht janë: qeramika, guri i lumit, druri, vitrazhi i pjekur, etj. Gjithashtu ndaj mendimin se një skulptor e përzgjedh materialin sipas karakterit. Për këtë arsye më pëlqen gdhendja e gurit.                                                                                                                                                         

Keni ndonjë skulptor apo skulpturë të preferuar?                                                                     

   Siç e përmenda edhe më sipër, materiali e karakterizin artistin. Dhe kështu, shijet e mija artistike më çojnë tek këta autorë: Arnaldo Pomodoro, Cicero D'vila, Henri Moore. Secili nga këta  artistë ka mënyrën e tij të të shprehurit, ka potencialin e fortë artistik, ndaj veprat e tyre përbëjnë burim frymëzimi për mua.

Ndonëse në ditët e sotme, arti bashkëkohor i ka mposhtur barrierat midis disiplinave, skulptura mbetet një mënyrë e privilegjuar e të shprehurit të artistëve të shekullit XXI. Ç’mendim keni ju Erisë, si skulptore dhe artiste e kësaj gjenerate?                                      

  Skulptura dhe arti(në përgjithësi) është intergruar plotësisht në jetën tonë të përditshme. Nuk admirohet vetëm në sallonet e muzeve, galeritë, ekspozita apo libra, por tani e gjejmë kudo. Kjo është e pranishme në botë, kurse në Shqipëri nuk e gjejmë mjaftueshëm në ambjente publike. Çdo njeri lind pak artist, por mënyrat e ndjeshmërisë janë të ndryshme ( si piktura , poezia, skulptura, fotografia, aktrimi etj.). Të gjitha veprat artistike i karakterizon një rregull i brendshëm, një frymim spontan, ndaj unë besoj se përmes artit mund të shprehësh gjithçka. Në praninë e tij, ne ndihemi gjithnjë komodë. Meqë të bukurën e duam të gjithë, le të kultivojmë breza me ndjenja e shpirt të madh për artin.                                                                              

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/