Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, thotë se mazhoranca ka zgjedhur pushtetin përballë të ardhmes europiane të vendit.

Në një deklaratë për mediat, Xhixho tha se ruajtja e imunitetit të Belinda Ballukut, pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se kjo çështje ishte test për luftën ndaj korrupsionit, cenoi hapur drejtësinë.

Deklarata e plotë

Shqipëria ndodhet sot përballë një të vërtete tronditëse: procesi i integrimit europian nuk është thjesht në udhëkryq, por është marrë peng nga një qeveri që ka zgjedhur pushtetin mbi të ardhjen europiane të vendit. Ndërsa Mali i Zi ka mbyllur tashmë 13 kapituj negociatash, Shqipëria vijon të zvarritet në vendnumëro. Rreziku thelbësor i procesit europian vjen nga mosmiratimi i Raportit IBAR.

Ky raport, që përcakton nëse janë përmbushur kriteret e shtetit të së drejtës dhe përfshin grup-kapitullin e parë për Reformen ne Drejtësi, Siguri, Luftën kundër korrupsionit dhe Liritë e Njeriut, e cila nuk është miratuar nga Brukseli. Shumë vende europiane kanë ngritur pikëpyetje të forta për situatën reale në Shqipëri. Miratimi i Raportit IBAR është kusht themelor për të mundësuar mbylljen e kapitujve të negociatave dhe avancimin e procesit të integrimit.

Kjo nuk është aspak rastësi. Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i një qeverie që ka dështuar të përmbushë standardet më elementare të Bashkimit Europian dhe që po e mban vendin peng për interesat e saj personale. Integrimi europian sot nuk është thjesht në rrezik, ai po sabotohet. Europa nuk është një treg ku hyn me marrëveshje politike të momentit. Europa është një rend vlerash: shteti i së drejtës,pavaresia e drejtesise,lufta kunder korrupsionit dhe krimit te organizuar, barazia para ligjit etj. Pikërisht këto janë sot më të goditura se kurrë në Shqipëri.

Votimi në Parlament për çështjen e imunitetit të Belinda Balluku ishte një akt i pastër politik për të mbrojtur pushtetin dhe për të shkatërruar drejtësinë.Pasi te gjithe jemi te qarte qe Edi Rama mbrojti vetem veten e tij , pasi dosja Balluku eshte vet dosja Rama. Ky nuk ishte thjesht një dështim, ishte një rrëzim i plotë i reformës në drejtësi. Mazhoranca e ktheu imunitetin në një bunker politik dhe juridik, duke i shpallur luftë të hapur drejtësisë.

Mandati nuk u trajtua si përgjegjësi, por si privilegj për të fshehur përgjegjësi penale. Paralajmërimi i Europarlamentarit David McAllister ishte i qartë: çështja Balluku është një test për luftën kundër korrupsionit dhe për integrimin europian. Ky test nuk u kaluar dhe u dështua me vetëdije.

Në të njëjtën kohë, Edi Rama në bashkëpunim me Aleksandar Vuçiç, po promovon një model të rrezikshëm që synon të zëvendësojë integrimin e plotë ,me një integrim të pjesshëm ekonomik. Ky është një projekt që nuk i shërben qytetarëve shqiptarë, por interesave personale të një elite që kërkon të shmangë standardet dhe përgjegjësitë europiane.

Shqipëria nuk mund të pranojë të trajtohet si periferi. Nuk mund të pranojë një Europë me dy shpejtësi ku qytetarët shqiptarë mbeten qytetarë të dorës së dytë. Historia e Bashkimit Europian është e qartë: nuk ka rrugë të shkurtër, nuk ka pazare politike që zëvendësojnë reformën, drejtësinë dhe demokracinë.

Qytetarët shqiptarë nuk kërkojnë iluzione por standarte te verteta si qytetaret europian ne arsim, shendetsi, ne ekonomi tregu , ne barazi para ligjit dhe drejtesi te shpejte dhe te pavarur. Sot është më e qartë se kurrë: integrimi europian po sabotohet nga një qeveri që ka zgjedhur korrupsionin mbi interesin kombëtar.

Ndaj Partia e Lirisë u bën thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e qytetareve te lire më 22 mars, për të treguar njëherë e mirë se qytetarët nuk do të pranojnë pengmarrjen e të ardhmes europiane nga një qeveri që mbron vetëm pushtetin dhe interesat e saj të ngushta. Shqipëria nuk është pronë e një qeverie, por e qytetarëve të saj.