12 dhjetor 2013- Vijon komedia me rekrutimet në administratën publike. Përpos falsitetit dhe formalitetit të konkurseve, ministrat e “rilindjes” kanë shënuar edhe gafat e para sa i takon kritereve, arsimimit dhe kualifikimit të aplikantëve për t’u bërë pjesë e piramidës së administratës publike. Kështu, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, ka shpallur disa kritere të pazakonta për një pozicion vakant në ministrinë që ai drejton. Erjon Veliaj ka shpallur një vend vakant pune në sektorin e IT në Ministrinë e Punës, ky si kriter të veçantë kërkon që kandidatët te kenë mbaruar arsimin e lartë për juridik. Po ashtu në kërkesat e veçanta, kërkohet që kandidati të ketë njohuri të përgjithshme për kompjuterin. Siç duket, Erjon Veliaj ka sajuar kritere për njerëz të preferuar dhe nuk kërkon njerëz profesionistë për vendin vakant. Edhe pse zakonisht konkurset për një vend vakant në administratë zhvillohen pasi është firmosur emërimi, rasti me Ministrinë e Punës, është i paprecedentë. Edhe Sali Berisha tregohej më serioz në këtë pikë. Nuk është çudi, që në ditët në vijim të kërkohet një jurist, ndërsa si kriter i veçantë të kërkohet pianist. 

“Departamenti i Administratës Publike.  Në zbatim të ligjit nr. 8549 datë 11.11.1999, “Statusi i nënpunësit civil”, Departamenti i Administratës Publike njofton për vend të lirë pune në pozicionin; Specialist në sektorin e IT dhe komunikimit, në Drejtorinë e Shërbimeve Mbështetëse, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e përgjithshme për pranimin në Shërbimin Civil në përputhje me ligjin nr. 8549 datë 11.11.1999, “Statusi i nënpunësit civil”. Kërkesat e veçanta për kandidatët; Të ketë mbaruar arsimin e lartë për juridik. Të ketë njohuri të mira të gjuhës angleze. Të përdorë programet bazë të punës në kompjuter. Të ketë aftësi të mira komunikuese, koordinuese dhe të punës në grup”, thuhet në njoftim.