Tiranë, 15 mars 2014 – Ermal Mamaqi është personazhi më popullor në rrjetin social “Facebook”. Artisti i dashur i skenës, ka arritur të mposhtë në këtë ‘garë’ virtuale edhe figurat më të rëndësishme të politikës. Nga kjo javë Ermali kryeson listën e personazheve të famshëm në Shqipëri për sa i përket numrit të ndjekësve në Facebook ku numëron plot 1,137,841 fansa.
Po krahas këtij suksesi, aktori I humorit po korr sukses të madh edhe me programin që ka nisur rreth një muaj më parë në platformën “Digitalb”.
Në studion e tij janë ulur emra të rëndësishëm të skenës, si Elvana Gjata, Dafina Zeqiri etj. Por rrëfimi më interesant do të mbetet pa diskutim ai i Pirro Çakos, gjatë të cilit Ermali bëri deklaratën më komike të javës. Ja çfarë tha ai:
“Unë një natë kam fjetur me Pirro Çakon. Është e vërtetë! Ne kemi fjetur bashkë, por sigurisht në dy krevate të ndryshme. Ishim në Shkup dhe kishim për të regjistruar një këngë që Pirro e kishte kompozuar për mua dhe sigurisht duhej të rrinim një natë atje. Një natë ku Pirro i kishte pak hundët të bllokuara. Kjo natë ishte në fillimet tona, ishte në momentet e para të njohjes sonë dhe unë zakonisht kam shumë turp kështu. Kam turp të fle me njerëz që s’i njoh mirë. Besoj se ju ka rastisur të gjithëve që, edhe pse do flesh me një djalë, me një shok, të kesh pak siklet. Erdhi momenti që do binim të flinim, por nuk kishim asnjëri pizhama. Dhe në momentin që do hiqnim pantallonat unë thashë me vete, ‘të dal unë tani me brekë përpara këtij? Jo, kurrë’. Nejse, si përfundim Pirro u zhvesh i pari. Ky i hoqi i pari pantallonat”, ka treguar Ermali, duke e shoqëruar rrëfimin e tij me të qeshura të shumta.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





