Shqiptari Ermal Meta, dashuria e re e Emma Marrone? Ishte ky lajmi që u përhap si virus në mediat italiane pak para se këngëtari shqiptar të konkurronte në Festivalin e Sanremos, me këngën e tij pretendente për të fituar, “Vietato Morire” (E ndaluar të vdesësh). Edhe pse Ermali e përgënjeshtroi lajmin në profilin e tij në Facebook, duke u shprehur se këngëtaren 33-vjeçare nga Firence e konsideron si motër, kjo deklaratë nuk e ka bindur median italiane.

Gazetarët kanë vazhduar me shkrime që hedhin dyshime se përtej bashkëpunimeve dhe miqësisë së tij speciale me Marronnen, fshihet një “love story”, e cila ka ndikuar jashtë mase te kantautori për realizimin e një kënge të mrekullueshme, kësaj here në kategorinë “Big” të “Sanremos”. Gazetarët italianë janë nisur nga fakti që Meta dhe Marrone kanë bashkëpunuar shumë herë bashkë, ndërkohë që ai ka shkruar për të “Occhi profondi”. Sipas tyre, pasioni për muzikën dhe stili i veçantë që kanë secili në lëvrimin e muzikës pop e rock, i ka bërë që të bien në dashuri pa e kuptuar me njëri-tjetrin.

Ky lajm rozë, edhe pse e mërziti Metën para garës, nga ana tjetër e ndihmoi të merrte vëmendjen e ëndërruar nga shumë artistë para një gare. Të gjithë sytë i kanë nga ai, për të kuptuar se ndërsa ai shpalos origjinalitetin e tij duke kënduar në skenën e “Sanremos”, e analizojnë për të kuptuar se çfarë e ka tërhequr artisten e pëlqyer Marrone te ky djalë nga Shqipëria.

Edhe pse Meta e ka konsideruar një lajm të rremë, asnjë përgjigje nuk ka nga Emma, e cila prej kohësh është komentuar si single dhe e lumtur, pas thashethemeve për Stefano De Martino, apo flirtit me Tommaso Paradiso, liderin e “The giornalisti”. /Panorama