02 janar 2015 – Shtutgarti është ekipi i parë që do të bëjë ofertë zyrtare për të siguruar firmën e mbrojtësit shqiptar, Ermir Lenjani, dhe për të mundur konkurrencën për një nga emrat më “të nxehtë” të merkatos së kombëtares shqiptare të futbollit. Futbollisti, i cili ka shkëlqyer në këtë edicion me fanellën kuqezi, duke u bërë protagonist absolut i përfaqësueses së drejtuar nga Xhani de Biazi, pritet të vazhdojë karrierën e tij në Bundesligë, pasi e ka mbyllur atë në kampionatin zviceran.
Sipas së përditshmes gjermane “Kicker”, klubi i Shtutgartit pritet të vihet në lëvizje për të bërë përforcime të rëndësishme që në ditët e para të janarit. Trajneri Hub Stivens ka kërkuar përforcime në katër pozicione të ndryshme për skuadrën e cila aktualisht gjendet në vendin e 15-të në Bundesligë. Një vend bosh është në krahun e majtë të mbrojtjes, për të cilin është monitoruar Ermir Lenjani, pas shpërthimit të tij me fanellën kuqezi dhe paraqitjeve mbresëlënëse në javët e para të kampionatit zviceran. Futbollisti është lënë në muajin e fundit jashtë skuadrës nga St. Galen, i cili provoi ta detyronte atë të rinovonte kontratën. Megjithatë, dëshira e 25-vjeçarit ishte të kalonte në një kampionat më të njohur, vendim që praktikisht e ka shtyrë të shkëpusë lidhjet me klubin e tij aktual. Meqenëse kontrata e Lenjanit përfundon në qershor 2015, në janar ai është i lirë për të biseduar me klube të tjera rreth një transferimi të mundshëm. Kësisoj, në ditët në vazhdim, përfaqësuesit e tij do të jenë në bisedime me klubin gjerman, për të mbyllur detajet e një kontrate të mundshme. St. Galen mund të bëhet pengesë vetëm për sa i përket shumës që Shtutgarti duhet të paguajë për të marrë futbollistin që në janar, pasi zviceranët janë të ndërgjegjshëm se pas qershorit, Lenjani mund të largohet si lojtar i lirë pa asnjë lloj detyrimi. Kartoni i Lenjanit vlerësohet rreth 1.5 milionë euro, por mendohet se Shtutgart do të paguajë vetëm gjysmën e kësaj shume për ta marrë që në janar dhe për të mos pritur qershorin.
Një lëvizje e tillë në janar do të ndihmojë shumë futbollistin shqiptar, i cili në muajt e fundit ka qenë nën monitorim nga shumë skuadra të tjera, mes të cilave Verona në Itali apo Lila në Francë. Edhe Eintraht Frankfurt kishte shprehur interesim për futbollistin shqiptar, por ky i fundit preferon të kalojë te Shtutgarti, një prej emrave të mëdhenj të futbollit gjerman, pavarësisht pozicionit që mban aktualisht në Bundesligë. Sigurisht që lëvizja e Lenjanit drejt kampionatit gjerman do të ketë edhe “bekimin” e trajnerit Xhani de Biazi. Ky i fundit i ka besuar atij krahun e majtë të mesfushës, por në të ardhmen synon ta kthejë disa hapa prapa, në prapavijë në vend të Agollit. Me kalimin te Shtutgarti, duke luajtur rregullisht si mbrojtës i majtë, për më tepër në një prej kampionateve më cilësorë në Europë, Lenjani do të përfitonte një eksperiencë shumë të rëndësishme për sa i përket aktivizimit të mëtejshëm në radhët e përfaqësueses kuqezi. Marrëveshja mes Shtutgart dhe St. Galen mund të mbyllet për rreth 750 mijë euro, meqë Lenjanit i përfundon në qershor kontrata me klubin zviceran dhe mund të largohet si lojtar i lirë.





