DURRES– Gjatë merkatos së dimrit, skuadra nënkampione e Shqipërisë, Teuta, është forcuar ndjeshëm, ku përveç afrimit të emrave tashmë të afirmuar në futbollin shqiptar i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe lojtarëve të rinj.
Kështu durrsakët kanë pikasur një talent, të cilin e përfshinë menjëherë në skuadër. Behet fjalë për 18-vjeçarin Ermir Rezi, i cili aktivizohet në rolin e sulmuesit. Lojtari është bërë pjesë e skuadrës, madje u aktivizua për disa minuta në ndeshjen miqësore ndaj Burrelit.
Për aq sa luajti, 18-vjeçari bëri një paraqitje të mire dhe cilësitë e shfaqura prej tij në fushën e lojës premtojnë për të ardhmen. Në një prononcim për Durrëslajm.com, Rezi u shpreh i lumtur për kalimin e tij tek skuadra e Teutës dhe pohoi se dëshira e tij më e madhe është aktivizimi me këtë skuadër.
“Të jesh pjesë e Teutës është prestigj dhe krenari e madhe, pasi bëhet fjalë për një nga skuadrat me të mira në Shqipëri. Për mua kjo është aventura e parë në një skuadër profesioniste. Megjithatë, unë jam përgatitur për këtë dhe fakti që do jem pjesë e skuadrës besoj se do të më ndihmojë të përmirësohem dhe formohem edhe më mirë si futbollist. Detyra ime si futbollist është të stërvitem dhe të punoj sa më shumë dhe në momentin që tekniku do ta shikojë të arsyshme për të më aktivizuar, unë do jem gati”,- pohoi sulmuesi.
Edhe stafi teknik ka folur me superlativa mbi aftësitë e lojtarit. Ndërkaq durrsakët po vijojnë me përgatitjet për ndeshjen e radhës. Ajo do të luhet në dy shkurt dhe është e vlefshme për kupën e Shqipërisë. Durrsakët do të presin në shtëpi skuadrën ballshiote të Bylisit ndaj së cilës do të kërkojnë me çdo kusht fitoren.