Enti Rregullator i Ujit ka miratuar tarifat e reja të furnizimit me ujë dhe shërbimit të largimit të ujërave të ndotura  për të gjitha bashkitë që mbulohen nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës. Një ditë më parë, tarifat e reja janë publikuar në Fletoren Zyrtare.

Duke iu referuar tabelave me tarifat e ndryshuara nga ERRU, klientëve familjarë në bashkinë e Durrësit dhe Shijakut do t’u rritet vetëm me 50 lekë tarifa fikse e shërbimit, e cila nga 150 lekë në muaj, bëhet 200 lekë në muaj.

Ndërkohë tarifat për furnizimin me ujë dhe largimin e ujërave të ndotura nuk ndryshojnë, duke mbetur respektivisht 70 lekë për m3 dhe 50 lekë për m3.

Kësaj fature i shtohen edhe taksat e bashkisë, të cilat vijnë të llogaritura për çdo familje nga administrata e bashkisë.

Ato që pësojnë rritje janë tarifat për bizneset dhe entet publike. Referuar tarifave të reja të miratuara nga ERRU, çmimi për këto subjekte ndryshon si më poshtë:

KATEGORIA BIZNES (BASHKIA DURRES DHE SHIJAK)

Shërbimi i furnizimit me ujë ka qenë 130 lekë për m3, bëhet 140 lekë/m3

Shërbimi i largimit të ujërave të ndotura ka qenë 60 lekë për m3, bëhet 70 lekë/m3

Tarifa fikse e shërbimit ka qenë 150 lekë në muaj, bëhet 300 lekë në muaj

KATEGORIA ENTE PUBLIKE (shkolla, kopshte, çerdhe, institucionet shtetërore)

Shërbimi i furnizimit me ujë ka qenë 120 lekë/m3, bëhet 140 lekë/m3

Shërbimi i largimit të ujërave të ndotura ka qenë 60 lekë/m3, bëhet 70 lekën/m3

Tarifa fikse e shërbimit ishte 150 lekë/muaj, bëhet 300 lekë/muaj

“DurrësLajm” mëson se tarifat e reja hyjnë në fuqi në datën 15 qershor 2024 dhe ato do të pasqyrohen në faturën e po këtij muaji.

SHËNIM: Këto tarifa janë të vlefshme deri në 31 dhjetor 2026. Pas kësaj date, ERRU i rishqyrton tarifat dhe mund të bëjë ulje të tyre, t’i lërë kështu siç janë për një periudhë tjetër 2-vjeçare, ose mund t’i rrisë sërish.

M.B.