TIRANË, 21 qershor 2013 – Lëkundje jo aq të lehta të tokës janë regjistruar në pasditen e 20 qershorit në juglindje të vendit, afër kufirit me Greqinë.
Rrjeti sizmologjik shqiptar dhe ai euro-mesdhetar bëjnë fjalë për një tërmet që duhet marrë në konsideratë, për shkak të forcës M=3.3 dhe thellësisë së epiqendrës prej 2 km.
Ngjarja sizmike ka ndodhur në orën 15:15:14 (koha e Shqipërisë) apo ora 13:15:14 sipas GMT-së, sikurse raporton ish-Instituti Sizmologjik (departamenti i sizmologjisë i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit i Universitetit Politeknik të Tiranës).
Tërmeti është lokalizuar në koordinatat 40.29°N, 20.69°E, në fshatin Gjonç të komunës Qendër Ersekë (departamenti i sizmologjisë e përcakton në fshatin e Prodanit, në vijë ajrore 4 km në jug të bashkisë së Ersekës), por sipas satelitit (shih shigjetën e blertë), më afër është fshati i Gjonçit.
Nuk ka njoftime për viktima dhe dëme materiale.
Ndërkohë, sikurse është informuar “Dyrrah”-u në linjë telefonike, ndonëse zona është pak e populluar, mes banorëve ka pasur njëfarë paniku.
Info/
Prodani dhe Gjonçi bëjnë pjesë në komunën Qendër Ersekë të nënqarkut të Kolonjës, qarku i Korçës. Si njësi administrative komuna Qendër Ersekë përfshin fshatrat: Starje, Bejkovë, Psar, Selenicë, Kreshovë, Gostivisht, Lëngëz, Kodras, Borovë, Taç Qendër, Taç i Poshtëm, Taç i Sipërm, Rehovë, Gjonç, Prodan, Kabash
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





