TIRANE, 1 dhjetor 2013 – Aktori Ervin Bejleri ishte surpriza e "Këngës Magjike". Pas një kohe të gjatë që aktori i talentuar i mungonte ekranit të televizorit, duke qenë se puna e tij së fundmi ishte përqendruar në teatër apo filma, ai u rikthye në rolin e moderatorit. Sigurisht që publiku e priti mjaft mirë, madje zgjedhja e sivjetshme e producentit Gjebrea u duartrokit me entuziazëm. Po kaq mirë ndihet edhe vetë Ervini. Ne e takuam në krye të detyrës, në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Me shumë dashamirësi aktori simpatik gjeti kohën të na rrëfejë mbi eksperiencën e re dhe na zbuloi arsyen pse është larguar nga spektaklet e humorit.
Si është të prezantosh "Këngën Magjike"?
Një mrekulli!
Pse?
Sepse ndodh një herë në vit, dhe për mua e Ermalin ishte hera e parë, siç ka qenë për secilin nga prezantuesit këta 15 vjet.
Pse Arditi të zgjodhi ty?
Arditi e shpjegon shumë mirë. Na zgjodhi për atë punë që unë dhe Ermali kemi bërë.
Si të erdhi propozimi për prezantimin e festivalit?
Me telefon. Ishte Ermali ai që sugjeroi emrin tim tek Arditi.
Pranove menjëherë apo u mendove?
Sigurisht që thashë "Po" në parim. Më pas u takuam, biseduam për shumë gjëra dhe përgjigjja ime ishte 'Absolutisht po'.
E mendoje prezantimin të lehtë dhe t'u duk i vështirë kur e provove, apo anasjelltas?
Ky lloj prezantimi nuk ishte diçka jashtë asaj që unë bëj, pra jashtë fushës së aktrimit në përgjithësi. Kështu që nuk e mora si një sfidë të madhe për veten time. Sfidë ishte publiku i madh prej 2500 vetësh në Pallatin e Kongreseve dhe sigurisht edhe elementi 'live'.
Cilat janë përshtypjet e njerëzve? Çfarë të thanë?
Absolutisht shumë mirë. Edhe unë vetë u ndjeva me të vërtetë mirë.
Si është Ermal Mamaqi si koleg në prezantim?
Është i përkryer! Jam kënaqur me të. Unë Ermalin e njoh prej 15 vitesh, pra kur "Kënga Magjike" ishte ende në fillimet e veta. Asokohe unë e Ermali nuk ishim bërë ende të njohur, ishim studentë. Edhe pas kaq shumë vitesh, Ermali mbetet po i njëjti, një mik i mirë dhe një aktor i zoti. Ne kemi bërë shumë prova, tekstet janë shkruar mrekullisht mirë nga Dalina Buzi.
Ke pasur kontakt nga afër me këngëtarët?
Jo dhe aq. Përgjithësisht unë jam person që nuk para futem në rrethet që nuk më përkasin. Këngëtarët i njoh, më njohin dhe kemi një lloj dashamirësie me njëri-tjetrin.
Ke ndonjë këngë të preferuar?
Po, kam këngën e Bojken Lakos.
Do të doje që ta fitonte Bojkeni "Këngën Magjike"?
Po, pse jo?! Bojkeni, Besa Kokëdhima… Ka shumë këngë vërtet të bukura. Po t'i dëgjoj edhe një herë një nga e nga, me siguri do përmendja edhe më shumë emra këngëtarësh.
A ka ndryshuar mendimi yt për këtë festival, nga koha që e shihje në televizor në sot që je prezantues?
Si me të gjitha gjërat në jetë, në momentin që i njeh nga afër sigurisht që afeksionohesh më tepër dhe e ndjen veten pjesë të tyre. Edhe në këtë rast, ndodhi e njëjta gjë.
Cilat do të jenë surprizat e finales? Ç'do të ndodhë me ty dhe Ermalin?
Materialet do të jenë shumë të bukura. Humori bazohet gjithmonë në satirë. Sa u takon ne të dyve, megjithëse miq të mirë, ndodh që në punë të lindin kontradikta. Ne po përjetojmë një konflikt shumë të madh që nuk po e zgjidhim dot, ndaj rrezikon që çështja të përfundojë në gjyq. Të shohim ç'do të ndodhë…
Sa prej fjalëve të tua gjatë prezantimit janë pjesë e skenarit dhe sa improvizim?
Nga unë ka vetëm 2% të asaj që thuhet. Pjesa tjetër është e gjitha në skenar.
Pse? E keni të ndaluar, apo nuk të vjen natyrshëm të improvizosh?
Nuk është puna se s'më vjen natyrshëm. Duke qenë aktor dhe i mësuar me tekste të gatshme dhe me zbërthimin e karakterit, është pak e vështirë të dalësh nga karakteri e të krijosh diçka tjetër në moment. Jo vetëm për mua, po për të gjithë aktorët. Megjithatë nuk jam ndjerë keq në asnjë moment që të them për shembull 's'më erdhi batuta'.
Pas mbarimit të festivalit, cilat janë projektet e tua më të afërta?
Do të vazhdoj projektet që kam në Teatrin Kombëtar, si "Ëndrra e një nate vere" dhe "Edipi mbret". Kam një projekt me një regjisor italian, me të cilin kam xhiruar një film që u dha dhe në Tiranë. Ai ka një projekt të tijin.
Shohim që ke edhe familjen pranë. Të ndjekin shpesh në daljet e tua? Janë më shumë kritikë apo mbështetës?
Më ndjekin gjithmonë, në çdo punë që bëj. Janë kritiko-mbështetës. Unë vetëm familjes sime ia besoj kritikat.
Pse je shkëputur nga spektaklet e humorit në televizione?
Është një zgjedhje e imja. Shumë aktorë zgjedhin të bëjnë 'televizion' për shumë arsye, financiare apo të tjera. Por kam frikë se kjo lloj pune i dëmton. Nuk mund të them se mua më ka dëmtuar, por më ka dhënë një lloj trampoline për të bërë gjëra më të mira.
I dëmton në ç'kuptim? I konsumon?
Absolutisht që i konsumon. Televizioni është një makinë grirëse që të konsumon e të konsumon e pastaj të hedh si lëkurë bananeje.
Vitin e Ri, ku do e kaloni?
Si gjithmonë me familjen, po nuk e kemi vendosur ende se ku.
/balkanweb/





