Është shkarkuar në seancën e sotme plenare Delina Ibrahimaj nga detyra si ministre e Financave dhe Ekonomisë. Për shkarkimin e Ibrahimajt u dhanë 105 vota pro dhe asnjë abstenim.
Tashmë Ibrahimaj ka marrë postin e saj si ministre e Shtetit për Sipërmarrjen me 73 vota pro.
Po ashtu, është emëruar si ministri i ri Financave e Ekonomisë Ervin Mete, i cili ka marrë 74 vota pro dhe 30 kundër.
Pas procesit të votimit, Gazment Bardhi nga pala opozitare deklaroi se dekretimi i Ervin Metes si ministër është në shkelje flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë.
Kjo sipas Bardhit, sepse dekretimi nga Presidenti është kryer para se Mete të shkarkohej nga detyra e tij e mëparshme tek AMF-ja (Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare).
“Ju sapo votuat dekretin për emërimin e ministrit të Financave që është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse Presidenti ka dekretuar një zyrtar publik i cili nuk mund të emërohej për shkak të një detyre tjetër në AMF, shkarkimi i tij është bërë në seancën e të hënës, pasi Presidenti e kishte dekretuar. Ju duhet t’i kujtonit Presidentit të Republikës se ka sjellë një dekret në shkelje të ligjit”, deklaroi Bardhi në Kuvend.