TIRANE– Njëri prej fëmijëve të “Misionarëve të Paqes” i cili është një komunitet për pajtimin e gjakut mes familjeve në hasmëri ka bërë akuza të rënda në drejtim të të atit dhe drejtuesve të tjerë të këtij komuniteti. Kështu, në një intervistë mediatike, Ervjon Cara, i cili punon si kameraman, fotograf e regjisor në një media është shprehur se Gjin Marku dhe komuniteti i pajtimtarëve janë mashtrues. Sipas tij, ata u marrin lekë familjeve në gjak, duke i premtuar se do t’i çojnë jashtë shtetit për strehim politik.
Ai rrëfen se ka shoqëruar komunitetin për të xhiruar e fotografuar pamjet e pajtimit, por kishte zbuluar edhe veprimet e jashtëligjshme që ata bëjnë: “Këtë të vërtetë unë e kam zbuluar duke punuar me “Misionarët e Paqes” siç e quajnë ata veten për më shumë se një vit. Gjatë punës zbulova se atyre jo vetëm që nuk u intereson problemi që kanë familjet në gjak, por përpiqen t’i shfrytëzojnë në maksimum këta njerëz me probleme për të fituar para. Pjesë e këtij mashtrimi të madh përveç Gjin Markut është edhe babai im, Preng Cara"-është shprehur Ervjon Cara.
Më tej ai sqaron se ka postuar në Youtube një video ku Gjin Marku dhe babai i tij bëjnë pazare me një familje që është në gjak, të cilës i kërkojnë para përkundrejt ndihmës për t’i çuar jashtë shtetit e të kërkojnë azil politik. “Zakonisht atyre u kërkohet nga 300 deri në 2 mijë euro. Por ka pasur edhe raste, që i kam parë me sytë e mi që kanë marrë edhe 5 mijë euro. Shumat që familjet i japin “pajtimtarëve” faturohen dhe firmosen në dy kopje.Faturat e pagesave i bën vetë Gjin Marku dhe deri para një viti i firmoste po ai vetë. Pasi e thirrën në prokurori, ai kishte frikë t’i firmoste dhe këtë detyrë ia ka kaluar babait tim. Im atë është plak dhe i alkoolizuar. Është gati gjithë kohën i pirë dhe Gjin Marku e mashtron duke i dhënë alkool për ta mbajtur pas vetes.”, denoncon ai.





