Erzeni ka fituar 3-1 ndaj Partizanit në ndeshjen që mbylli javën e parë të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për meshkuj, duke marrë edhe tri pikët e para. Një start mjaft i mirë i kampionatit për skuadrën shijakase, kampione në fuqi, që mundi rivalin kryesor për titull, duke treguar një lojë të mirë dhe një ekip më solid krahasuar me atë kryeqytetas.

Edhe pse i përforcuar me një brazilian, Partizani ende nuk ishte kompetitiv, duke luajtur shpesh me luhatje dhe bëri shumë gabime, gjë që nuk u pa shpesh te Erzeni. Ekipi shijakas, mbështetur edhe nga fansat e shumtë, ishte më i saktë në veprimet mbrojtëse e sulmuese, duke korrur një fitore të merituar dhe treguar se edhe këtë vit do të jetë pretendent për titullin kampion.Seti i parë është i ekuilibruar, të dyja skuadrat duelojnë fort dhe barazimet janë të shpeshta.

Pas pikës së 16-të është skuadra shijakase që ka një epërsi të lehtë, të cilën e ruan deri në fund, duke fituar 25-21 setin e parë. Nën këtë entuziazëm Erzeni luan edhe në setin e dytë, ku dominon në fushë, ndërsa Partizani bën shumë gabime dhe është larg asaj që pritej. Shijakasit dominojnë lojën dhe fitojnë thellë 25-13.

Në setin e tretë rikthehet ekuilibri në fushë, ku herë udhëheq njëra skuadër e herë tjetra.  Erzeni ka shansin të fitojë, pasi udhëheq 22-21, por Partizani realizon 3 pikë radhazi, përmbys shifrat e fiton 225-23, duke rihapur ndeshjen. Por ky entuziazëm i ekipit kryeqytetas zgjat shumë pak, pasi Erzeni rikthehet protagonist në fushë në setin e katërt, ku dominon që në pikët e para dhe fiton me lehtësi 25-18 e krejt ndeshjen 3-1.