23 janar 2015 – Agjencia Hapsinore Europiane ka në plan të dërgojë njerëz në pjesën e errët të Hënës, në polin e saj jugor. Mendohet se në këtë pjesë të trupit më të afërt qiellor me planetin tonë, ka ujë.
Dyshimet janë hedhur prej vitit 2009 kur shkencëtarët e kësaj agjencie publikuan rezultatet e një studimi për Hënën. Nëse ekzistenca e ujit vërtetohet, atëherë misioni njerëzor do të ketë për qëllim të studiojë prejardhjen e ujit atje, por edhe të gjejë gjurmë për origjinën e këtij elementi të rëndësishëm në Tokë.
Prania e misionit njerëzor në zonën e errët të Hënës do t’i krijonte mundësi shkencëtarëve të vëzhgonin më në thellësi të Universit, pa u penguar nga valët radiofonike që vijnë nga Toka, pasi kjo zonë nuk preket prej tyre. Nuk ka një datë të saktë se kur mund të mbërrijnë njerëzit atje. Por fondet për të dërguar një sondë eksploruese robotike, kjo agjenci i ka gati.





