Nga Bujar QESJA
E vendosa urimin tënd, në konturet e një shkrimi. E kisha paralajmëruar një vit më parë, se në 85 vjetorin tënd do të shkruaja më shumë se shkurt. Një jetë e gjatë, i meriton edhe pak rreshta më shumë se normalia. Ti je nga ajo prerje Esat Ypi, unë si miku yt, por edhe si një publiçist i kahershëm, që e kam vendosur lapsin në mëndje mbi gjysëm shekulli, nuk sosem së shkruajturi e së foluri. Superlativat vijnë natyrshëm, si vetë jeta e juaj e ngarkuar duke rrugëtuar drejt mbi një trase të rrezikshme. Jam shumë i varfër, të zgjedh nga kopshti i mendimeve të mia, ato lule që të zbukurojnë portretin tënd, që gjithnjë vjen e bëhet më i hijshëm.
Esat Ypi je në 85 vjetorin e lindjes. Qytetari durrsake është me fat, që ende dëgjon frymëmarrjen tënde plot ritëm dhe shpresë, ani se vjen paksa larg nga Italia fqinje, por e rrënjosur përjetësisht në tokën e lashtë të Durrësit, përkundur si një djep magjik nga flladi mahnitës, lyer me kripën e ëmbël të Adriatikut.
Nuk dua të bie në prozaizëm, kur hedh fjalë shpirti në tapetin e madh të mendimeve, ku si një gjimnast profesionist hidhen në ajër me një flurudhë spektakolare. Jam dhe do të mbetem larg asaj vetëdijes tënde, asaj kulture prej eruditi që buron nga mendimtarë të spikatur, të asaj njohurive që të len pa fjalë si në muzikë, si në artin e të shkruajturit, si në fjalorin ku fjalët janë futur si në kallëpe floriri, si në përulësinë kur flet për miqtë, shokët dhe të afërmit, duke u ndjerë të gjithë të privilegjuar që hedh mendime për ne Esat Ypi.
Rruga jote e ndritur, i mrekullueshmi ynë, u përcaktua që me 16 janar 1920, kur mësuesi klasik, i mënçuri dhe i dituri, babai juaj Asllan Ademi ndërroi mbiemrin duke e kthyer në Ypi. Miku i tij i ngushtë, avokati dhe intelektuali i njohur kolonjar Abdyl Ypi u vra pabesisht. Në fjalën historike mbi varrin e tij dhe që na bën nder të gjithëve, Asllan Ademi publikisht ndryshoi mbiemrin. Çfarë akti! Çfarë guximi? Çfarë trimërie me burim zakonet e mrekullueshme të shqiptarit? Dhe për fat ky Aslllan Ademi ishte babai yt. Sa do të donim të quanim figurativisht, babai i të gjithëve. Pasi nderi është edhe i yni.
Dhe filloi ta ndjej shpjet persekucionin ky Asllan Ypi. 44 vite dha arsim në të gjitha fshtarat, por asnjë ditë në Durrës, pasi u dënua për aktin e tij. Ndëshkime të tilla Esat Ypi, intelektuali ynë mëndje ndritur, jo pak ke patur edhe ti. Të përzunë nga studimet për ekonomi dhe të dërguan punëtor në fabrikën e gomës. Në jetën tënde plot krenari, por të shtruar në trase të rrezikshme, viti 1988 është i errët sa i takon konfirmimit të titullit doktor profesor, si pasojë e punëve të tua. Kur dekani Luçi shkoi tek ministri i linjës, që të miratonte këtë titull të lartë, përfaqësuesi i nomeklaturës së lartë, të vendosi dritën e kuqe. Të renditi me pinjollët e bejlerëve reaksionare të Kolonjës. Ishte në pushtet Partia e Punës. Dhe është profetike reagimi i dekanit të nderuar Luçi:
-Ne shqyrtojmë vlerat shkencore dhe jo biografitë.
Esat Ypi, në këtë të martë të 21 shtatorit 2021, plotësoi 85 vite jetë. Zoti po përkujdeset, që të lejë me këmbë dhe me duar, më mendje dhe fizik të përsosur, një vlerë të spikatur të qytetarisë durrsake. Doktor profesori ynë, i vendosur prej vitesh në Trevizo të Italisë, pranë fëmijve të tij, pranë banesës së fundit të gruas së rrallë, një mësuese e shtrenjtë për nxënësit, një nënë e rrallë për fëmijët e saj, motrës së të famshmit Adem Karapici, të Suzanës tënde të shtrenjtë.
Eknomist si ty Esat Ypi, pa dashur të hidhem në prehërin jo fort të përshtatshëm të superlatizmave, kuadër si ty, pa dashur të absolutizoj mendimin tim, intelektual si ty, pa dashur të jem imponues këtu, bashkëshort, prind, gjysh duke i kaluar kufijtë e ndjeshmërisë, njeri, por njeri ama, pa konkuruar këtu gjykimet e të tjerëve, nuk mund të gjënden në Durrësin tonë. E ndjej, e kuptoj, e prek, madje, madje e dëgjoj vajtimin tënd të lyer me nota trishtimi, për Durrësin tënd të magjishëm. Fjalët e tua për melodinë e dallgëve të detit. Më duket sikur ia kalon simfonive të famshme të Betovenit, pasi kanë brenda shpirtin, zemrën e një mërgimtari të rrallë, të një zotërie që veçse i jep dritë, i jep fuqinë praruese të diellit Durrësit të tij, oh sa të dashur.
Kur lexoj rradhët e tua për melodinë e dallgëve të detit, çdo durrsak më duket se i është ofruar detit dhe me një kitare në dore, këndon për mallin e të larguarve, duke i bërë shenjë qytetit tuaj të lindjes, se jeni këtu dhe do të vazhdoni të jeni këtu sa të keni jetë, sa të keni frymë, sa të jeni në këtë tokë.
Ke dhënë shumë, s’ke marrë gjë. Ke dhënë jo vetëm në shpikjet e tua, ku transporti i kontenierëve qendron si qershia mbi tortë, po ke dhënë dhe po jep në zhvillimin e një revolucioni të mendimit, mënyra se si e ndërton komunikimin, se sa dashuri dhe vlerësim ka brenda. Mënyra se si e trajton Muhamet Picin, këtë shkencëtar pa shkollë, këtë punëtor përmbi 3000 punëtorët e portit, madje duke ia kaluar edhe kuadrove dhe inxhinjerëve, ku Met Dervina historik nuk dëgjoi për ta vendosur mbi makinën turbinën gjigande të Fierzës pa ardhur ky Pic i jashtëzakonshëm, është më shumë se shembullore. Dhe kur nxjerr mjaltë nga goja, duke konkuruar bletët e palodhura puntore, me mjaltë do të shpërblehesh.
Kam mundur të nxjerr disa përcaktime për ty Esat Ypi, janë vetëm tre në morinë e pafund të gjykimeve që janë dhënë. Unë e di fort mirë, që ti nuk i kërkon lavdërimet, ashtu si edhe këta njerëz nuk janë aq të tepërt në përcaktimet e tyre. Lexoji këto:
…Se ti je një qytetar shëmbullor, familjar i shkëlqyer, një prind dhe gjysh i devotshëm , një burre fantastik , një partner e koleg fisnik , mik i dashur, komshi i mrekullushëm .
Je një shumatore vyrtytesh dhe krenari per çdo njeri që ka pas rastin të punoj me ty….
…Sepse e njoh mirë fjalorin e pasur dhe inteligjencën e lartë të trashëguar gjenetikisht dhe të fituar prej diturisë mjeshtërisht. Këta janë kuadrot që mbajtën gjallë shoqërinë shqiptare në kohë të vështira dhe sot janë shëmbulli i shkëlqyer i kësaj shoqërie…
…I dashur Esat, do të mbetesh shumë, shumë i veçantë në mendjen time me vlera njerëzore të pa përsëritshme, i dashur, i thjeshtë, trim kur duhej dhe i mrekullueshëm, i butë në bisedat tona të paharrueshme. Shpresoj të jesh mirë, të gëzosh qetësi dhe lumturi miku im i jashtëzakonshëm, shkencëtar i rrallë dhe i guximshëm, pasuri intelektuale e Durrësit dhe e gjithë vendit tonë. Të perqafoj me shumë mall, me respekt e dashuri…
Ti e din sa pranë jemi në mall dhe nostalgji për Durrësin tonë, të bekuar nga i Madhërishmi. Ti duhet ta dish edhe këtë, që të kam idhull në të gjithë treguesit përparimtar që zotëron. I dhëmbshur si ty, i dashur si ty, i ndjeshëm si ty, i respektueshëm si ty, adhurues i gjithçkaje që vjen era Durrës si ty, intelektual si ty, lapsi i mprehtë i ekonomistit si ty, prezantuesi i një fjalori plot art dhe kulturë si ty, preferues i muzikës klasike si ty, pushtues 100 përqind i melodisë së dallgëve të detit si ty, e shumë e shumë tregues të avancuar si ty, nuk duhet të lodhet askush – nuk gjen.
…Shumë jetë për të dëgjuar edhe për shumë vite frymëmarrjen tënde, për të prekur të shtrënjtit tënd për Durrësin e përbashkët, për të vazhduar për të qenë vlerë e gjallë e jona, mburrja dhe pika referuese jona, për të na dhënë atë që nuk e çfaqim:
Dashurinë – Respektin dhe Mirnjohjen!…
Jo pa qëllim kam vendosur në oborrin hyrës të shkrimit, dy postulate të tua, dy formulime të mënçura:
“Të paktën vdekja të na gjej gjallë”!
“Do ta pijmë qumështin nga gjinjtë e dijes”!
Po e sos shkrimin me dy vargjet mahnitëse të Omerit tonë, që ngjasojnë me dashurinw dhe mallin e pashuar për Durrësin:
“Jam aty edhe pse nuk dukem,
Shoh edhe pse nuk jam aty”.