ESD Albania prezanton gjetjet e raportit studimor mbi impaktin e zbatimit të metodës ESD në shkolla

Studimi mbështetet në opinionet e 1058 nxënësve/nxënëseve nga 9 shkolla të Shqipërisë pas pjesëmarrjes në trajnimet ESD-së 

Tiranë, 16 Qershor 2022,-  Një raport studimor i cili bazohet në kontributin e nxënësve/nxënëseve dhe mësuesve nga 9 shkolla në Shqipëri, lidhur me impaktin e metodës ESD (Fuqizim nëpërmjet Vetëmbrojtjes) në këto shkolla, nxorri në pah rëndësinë e kësaj metode në parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna  si dhe uljen e bullizmit dhe efekteve të tij. Gjetjet e raportit u prezantuan sot, 16 Qershor 2022, ora 11:00 në ambientet e sallës së koncertit të shkollës Servete Maçi. Të ftuar në këtë event ishin shkollat pjesëmarrëse të këtij projekti, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës,  përfaqësues të Ministrisë së Rinisë dhe Fëmijëve si dhe të UN Women në Shqipëri. 

Anuela Ristani, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës tha se “Një metodë si ESD nuk na nevojitet vetëm për raste të rrezikut por mbi të gjitha për të arritur kapacitetin tonë maksimal.”

Gentiana Susaj, drejtore e ESD Global për Europën u shpreh se “Deri dje, të qenit lider kërkonte muskuj. Sot, kërkohet mendje. Tani, po shkojmë drejt asaj që kërkohet zemër. Por në secilin rast, nuk mund të zëvendësohen tre gjëra: të kesh kurajo, të krijosh marrëdhënie të shëndetshme ndërpersonale, si dhe empati për njerëzit që kemi perreth. Këto përforcon ESD-ja.”

Alketa Doçi, këshilltare e Ministres së Rinisë dhe Fëmijëve tha se “Ne po punojmë fortë që ta mbështesim këtë metodologji që të paktën një shkollë për çdo bashki të zhvillojë ESD.”

Michele Ribotta, përfaqësues i UN Women në Shqipëri u shpreh se “Kemi marrë përshtypje pozitive të panumërta. Kjo tregon se ne jemi në rrugën e duhur dhe kemi ende punë për të bërë. ”

Sipas perspektivës së nxënëseve/nxënësve të cilët u trajnuan, metoda ESD (I) ndryshon perceptimet personale dhe transformon sjelljet dhe qëndrimet (II) Rrit ndjenjën e sigurisë (III) Rrit ndjenjën e vetëbesimit, fuqizimit dhe forcës (IV) Sjell ruajtjen dhe kultivimin e  shëndetit dhe mirëqënies personale si dhe përmirëson marrëdhëniet me mësuesit.

Mësueset dhe mësuesit e trajnuar si instruktorë me metodologjinë ESD, shprehen se “ESD (Fuqizimi përmes Vetëmbrojtjes) është një burim për formimin e mëtejshëm personal, për rritjen dhe përmirësimin personal dhe profesional si dhe është një strategji e mirë kundër bullizmit në shkolla”, thotë Erjola Shaka, autore e studimit. 

Rezultatet e raportuara nga thuajse 100% e nxënësve të trajnuar, të cilët thanë se janë prekur pozitivisht në perceptim dhe sjellje për rritjen e vetëbesimit, ndjenjës së sigurisë¸ndërgjegjes etj., janë shenje pozitive që inkurajon më tej bindjen se ESD është  mjeti i duhur për t’u implementuar në çdo mjedis për të eleminuar kulturën e dhunës në shoqërinë tonë.

Konteksti në të cilin u zbatua metoda ESD ka marrë në konsideratë situatën aktuale ne shkollat Shqiptare. Forma më e zakonshme e dhunës në shkolla është verbale dhe psikologjike. Pamvarësisht se brenda ambientit të shkollave, dhuna mbahet nën kontroll, por kjo nuk do të thotë se nuk ekziston. Raportimet tregojnë për nivele të larta të dhunës mes të rinjve, e cila shprehet jashtë ambienteve të shkollës. Ajo që mund të nisë si një konfrontim verbal ose psikologjik brenda shkollës rrezikon të përshkallëzohet në dhunë fizike jashtë saj. Për shëmbull, një nga pjesëmarrësit e fokus grupit me studentë të patrajnuar, një djalë 15-16 vjeç, i kishte thyer të dy gishtat në të dyja duart dhe i kishte futur në allci. Kur u pyet pse, ai u përgjigj se një djalë i tha gjëra të pakëndshme, kështu që ai ia tregoi qejfin.

Për më tepër, në shoqërinë shqiptare mbizotërojnë norma të ndryshme shoqërore dhe një kulturë pranimi dhe tolerance ndaj dhunës që e përjetëson atë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për sa i përket dhunës së ‘merituar’. Norma të tilla kanë të bëjnë me legjitimitetin e dhunës për vetëmbrojtje, agresionin si vlerë dhe bindjen ndaj autoritetit. Për sa i përket dhunës me bazë gjinore, disa norma sociale justifikojnë dhe përjetësojnë dhunën dhe stereotipet gjinore. Këto norma përfshijnë nderin e mashkullit, burrin si mbrojtës i familjes, seksualitetin dhe dhunën seksuale si temë tabu, dhunën seksuale si turp, fajësimin e viktimave dhe aksiomën e zakonshme që “djemtë do të jenë djem”. 

Projekti “E Fortë si Grua”

Projekti ‘E fortë si grua’, filloi në tetor të vitit 2021, menjëherë pas trajnimit të 24 profesionistëve të edukimit nga Tirana, Lezha, Durrësi dhe Kavaja. Për nëntë muaj, mësuesit instruktorë të ESD-së kanë integruar metodologjia ESD në procesin mësimor përgjatë vitit akademik 2021-2022 duke arritur 1086 nxënës dhe nxënëse. 

Po në kuadër të këtij Projekti, u realizua dhe fushata dhe turi #eForteSiGrua që u zhvilluan në muajt Nëntor, Dhjetor 2021, solli një seri trajnimesh që rritën ndërgjegjësimin mbi metodologjinë e Fuqizimit nëpërmjet Vetëmbrojtjes, një metodologji që po përdoret gjerasi në të gjithë botën. 

“Një aspekt shumë i rëndësishëm i këtij programi është se përhapet në të gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm në qendrën e Tiranës ku zhvillohen zakonisht ndërhyrjet. Mendoj se është shumë e rëndësishme të rrisim vetë-vlerësimin, vetë-besimin dhe të ndihemi të sigurtë/a në trupin tonë dhe të jemi në gjendje ta mbrojmë veten. Mendoj se kjo inciative duhet përçuar në çdo vend të Shqipërisë dhe të integrohet në kurrikulën shkollore” – Petra Bücher, shefe e zhvillimit dhe bashkepunimit, Ambasada e Suedise. 

Qëllimi i këtij turi  ishte të mbështeste gratë dhe vajzat shqiptare, që për shkak të pasojave të pandemisë COVID – 19 dhe tërmetit janë detyruar të struken më shumë në rolet e tyre tradicionale si dhe kanë përjetuar dhunën me bazë gjinore. 

Nxënësit dhe mësuesit e trajnuar e vlerësuan shumë metodologjinë e dhënë. “Nëse çdo i ri/e re do të bënte qoftë dhe vetëm një orë ESD, do ta ndihmonte të zbulonte botën dhe të mësonte një formë të re të vetëmbrojtjes kundrejt atyre që duan të na bëjnë dëm,” u shpreh nje nxnënës nga Lezha.  

Trajnimet realizohen nëpërmjet një qasjeje unike dhe ndihmuese që iu transmeton pjesëmarrësve dhe pjesëmarrëseve mjete dhe strategji për vetëmbrojtje si dhe për ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme. 

Ceremonia e cila u zhvillua sot përmbajti një kampionat të Fuqizimit nëpërmjet Vetëmbrojtjes me pjesëmarrës nxënëset/sit nga shkollat anëtare të rrjetit të ESD, prezantimin e rezultateve të raportit studimor si dhe dhënien e çmimeve për shkollat dhe vlerësimin e mësuesve më aktiv në mësimdhënien e Fuqizimit npm. Vetëmbrojtjes. 

Kjo nismë është  zbatuar në bashkëpunim me UN Women në Shqipëri në kuadër të projektit ‘Për rimëkëmbje dhe rindërtimin e ndjeshëm ndaj gjinisë pas tërmetit’ dhe mbështetur financiarisht nga Qeveria Suedeze nëpërmjet fondit të kombeve të bashkuara për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në shqipëri. 

Ky projekt po implementohet me miratimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe ka marrë edhe mbështetjen e Ministrisë së Rinisë dhe Fëmijëve.  

ESD është një metodologji e integruar edukuese e cila jep njohuri dhe aftësi për vetë-mbrojtjen kundrejt dhunës fizike, verbale, emocionale, duke dhënë mjete për parandalimin e rasteve të dhunës, vendosjen e kufijve të shëndetshëm në marrëdhënie si dhe duke edukuar mbi çështjet sociale që lidhen me dhunën me bazë gjinore.

Përfaqsuese e ESD në Shqipëri është programi ESD Albania i zhvilluar nga organizata jo qeveritare “Aikido Albania” me bazë në Tiranë. Që nga viti 2017, dhe ne bashkepunim me ESD Global, mbi 2000 gra dhe vajza si dhe 40 instruktorë/e janë trajnuar në Shqiëpri për këtë metodologji.

###

ESD Albania është programi i OJF-s “Aikido Albania”, e dedikuar për të promovuar “Fuqizim npm. Vetëmbrojtjes”. Puna jonë fokusohet në rritjen e ndërgjegjes publike mbi të mirat e ESD dhe rritjen e aksesit të trajnimeve të ESD si mjet për të fuqizuar vajzat dhe gratë që të ndihen të lira dhe të sigurta.