Nismëtari i Partisë Demokratike në Durrës, Nevruz Çela, pranon që në politikën aktuale nuk ka më idealistë, ndryshe nga periudha kur ai ishte në Kuvendin e Shqipërisë e ku disa vlera ishin më evidente sesa në parlamentin e sotëm. Ai thotë se çeku i bardhë i premtuar asnjëherë nuk u bë realitet për njerëzit që iu kundërvunë diktaturës ndërsa në administratë është harruar meritokracia
Nevruz Çela i përket asaj pjese të qytetarisë durrsake që ju bashkua proceseve demokratike që në fillimet e saj. Pinjoll i një familje të persekutuar por dhe të nderuar durrsake, Çela ka kontribuuar së bashku me bashkëshorten dhe familjen e tij në ngritjen e asaj demokracie të brishtë të atyre viteve.
Duke u rikthyer në kohë për të kujtuar atë periudhë ndryshimesh Çela kujton se ishte një moment i vështirë, pasi njerëzit me rrëzimin e diktaturës ëndërronin shumë, shpresonin për ndryshime drastike. Natyrisht që ndryshimet nuk mund të ishin aq të shpejta, pasi ndryshimet gjithmonë janë graduale në kuptimin material dhe kulturor. Në këtë kuptim ka qenë një periudhë e vështirë. Kishte ndryshime intensive në mentalitet, ekonomi dhe të gjitha drejtimet. “Unë do të kujtoja me respekt anëtarët e komitetit pluralist të qytetit ku nënkryetar ka qenë Tomor Bënja dhe sekretar ka qenë përfaqësuesi i PS-së, Tomor Spahiu, Lad Agaraj i PR-së, Qani Xhumri i PD-së apo Krenar Koçi.
Të gjithë këta njerëz kanë punuar me përkushtim në atë kohë. Natyrisht që kontributi i degës së PD-së së Durrësit ka qenë i jashtëzakonshëm”. Duke ju referuar çështjes së përfaqësimit të qytetarisë durrsake në strukturat e PD-së, por dhe në qeverisje, Çela thekson se qytetaria durrsake ka qenë e përfaqësuar në rreth 80 për qind të strukturave, duke ndikuar cilësisht në zhvillimet e proceseve demokratike dhe menaxhimin e qytetit. Është një detyrë dhe shprehje e qytetërimit që trashëguesit të respektojnë të parët e tyre, sidomos zakonet e tyre, ndershmërinë dhe raportin e tyre me punën dhe me shoqërinë.
“Në këtë drejtim unë mendoj se duhet bërë më shumë. Mendoj se duhet më tepër idealizëm, më tepër sinqeritet politik. Nëse je anëtar i një force politike duhet që në radhë të parë të njohësh dhe idealizosh programin e kësaj partie. Nëse je anëtar i një partie pa ditur programin e kësaj partie, pa pasur parasysh synimet e kësaj partie, do të thotë se ti je një militant për interesat e tua personale. Për fat të keq kjo sot mbizotëron kudo”,- tha Çela.
Të përndjekurit
Si një përfaqësues i shtresës së ish-të përndjekurve politikë, Nevruz Çela kujton kohën kur drejtonte komitetin pluralist dhe kur mbështetja e shtresës së të përndjekurve politikë ishte një detyrim parësor. “Në vitin 1991 ishte me të vërtetë vështirë të drejtoje. Më kujtohet se Parlamenti i Shqipërisë miratoi në orët e vona të natës një vendim ku thuhej se të përndjekurit kanë të drejtë të shkojnë në qytetet e tyre të origjinës ose ku të dëshirojnë të vendosen. Sipas këtij udhëzimi, pushteti lokal duhej që t’u gjente punë dhe strehim. Unë të nesërmen në mëngjes gjeta rreth 20 përfaqësues të shtresës së të përndjekurve politikë te dera e zyrës time. Ishte në një moment kur nuk kisha asnjë mundësi, as për strehim dhe as për punë. Ne arritëm t’i sistemonim por dhe ata më kuptuan dhe besuan pasi unë vija pikërisht nga shtresa e të përndjekurve politikë, pasi im atë ishte pushkatuar nga regjimi komunist për pikëpamje politike. Mund të them se problemi i strehimit ka qenë dhe një problem i mprehtë për të gjithë qytetin. Kujtoj në atë periudhë se për t’i kthyer banesat ish-pronarëve duhej që të liroheshin të paktën 700-800 apartamente, ndonëse shifra e saktë e kalonte 1.500 ish-pronarë. Në këto kushte ne u detyruam që të dërgojmë njerëz të pastrehë në kabinat e Plazhit dhe Currilave, vendim që e mori komiteti pluralist. Ishte një zgjidhje emergjente, për 3 muaj,por situata me strehimin e atyre familjeve vazhdon të mbetet emergjente edhe pas 20 vjetësh.”
Përsa i përket çështjes që ka të bëjë me atë që është bërë për të përndjekurit politikë, Çela mendon se çeku i bardhë i premtuar asnjëherë nuk u bë realitet. “Shteti demokratik ende nuk e ka përmbushur detyrimin për këtë shtresë, ka shumë probleme. Ai çek i bardhë që u premtua nuk u realizua. Mendoj se duhet bërë shumë në drejtim të përkrahjes që i duhet bërë shtresës të përndjekurve politikë. Mund të ishte punuar me më shumë rregull”.
Me të njëjtën logjikë Çela ka komentuar dhe çështjen që ka të bëjë me ish-pronarët. Sipas tij, gjërat mund të bëheshin më mirë nëse do të ishte punuar më me rregull, në kuptimin e asaj që hartimit të vendimeve të zbatueshme. Pikërisht këtu del një nga çështjet kryesore të funksionimit të demokracisë që është meritokracia. “Në vendet e punës duhet të jenë ata persona që kanë merita dhe janë kompetentë për atë punë që bëjnë. Unë mendoj se në vitin 1991 mundësia për të realizuar në mënyrë të plotë meritokracinë ka qenë shumë më e vogël se sa është tani. Në atë periudhë të ndryshimeve të mëdha emërimet bëheshin më shumë nga emri se sa nga meritokracia. Nëse atëherë mund të pranohej ky fenomen, sot është e pafalshme”.
Zhvillimet politike
Duke ju referuar zhvillimeve më të fundit politike në vend Çela thotë se duhet të bëhen shumë më tepër përpjekje përsa i përket krijimit të një klime me pozitive bashkëpunimi, për hir të interesave të vendit dhe atyre kombëtare. Demokraci do të thotë debat dhe jo sherr. Duke bërë një krahasim në mes dialogut politik në mes mazhorancës dhe opozitës së viteve 90-të dhe aktualisht ish-deputeti vëren se debati ka ndryshuar vetëm në pamje të jashtme, pasi në esencë nuk shikon ndryshime thelbësore.
“Debatet dhe aktualisht vazhdojnë të janë të ashpra dhe jo shumë konstruktive dhe të dobishme. Nuk bëhet as minimalja që popullit t´i jepet një shembull se si zgjidhen problemet me dialog”. Në lidhje me kohën që kontribuoi si deputet në Parlamentin Shqiptar Çela nënvizon se për herë të parë në parlamentin shqiptar u ngrit Kolegji i NATO-s, i cili ndoshta ishte dhe një nga hapat e parë drejt anëtarësimit të Shqipërisë në këtë strukturë Euro-Atlantike.
“Unë isha sekretar i komisionit parlamentar të rendit mbrojtjes dhe SHIK-ut, në një kohë që Azem Hajdari ka qenë kryetar i këtij komisioni. Kujtoj me nostalgji bashkëpunimin në këtë komision dhe kontributin e veçantë të Azem Hajdarit. Një nga fotot e pakta që kam nga ajo kohë me Azem Hajdarin, është pikërisht njëra që kemi bërë në qendrën e NATO-s në Gjermani, në zonën e Gersekirshen, fare pranë Mynihut. Atje ishte një nga qendrat e rëndësishme të NATO-s, por dhe një qendër e madhe sportive dimërore”.
Qyteti sot
Duke u shkëputur pak nga politika, ish deputeti i parlamentit që doli nga zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992 ka të thotë diçka edhe në lidhje me ato zhvillime jo pozitive që kanë ndodhur në qytet dy dekadat e fundit, ku arkeologjia apo dhe disa prej resurseve të rëndësishme turistike dhe mjedisore të qytetit janë dëmtuar. Ai thotë se dëmtimi i vlerave të qytetit mbi të gjitha është çështje qytetërimi.
“Durrsakët me fisnikërinë e vet e gjejnë veten relativisht indiferent dhe të pazotë për të reaguar ndaj problemeve që kanë të bëjnë me të ardhmen e fëmijëve të tyre”. Pas largimit nga politika aktive Nevruz Çela vazhdon që të kontribuojë për demokracinë përmes një prej pasioneve të tij, siç është dhe përkthimi. Ai i ka sjellë lexuesit shqiptar librin “Demokracia pa iluzione” i botuar në fund të shekullit të kaluar nga prof. Domenico Settembrini, por që është më se aktual dhe për zhvillimet që ka kaluar dhe po kalon shoqëria dhe politika shqiptare.
Duke e pyetur në lidhje me këtë tematikë, Çelës përgjigjet se kjo vepër të krijon përshtypjen se i kushtohet vendeve dhe popujve që u çliruan së fundmi nga diktaturat komuniste. Në këtë kontekst dhe për shqiptarët ky libër ka një domethënie të veçantë, pasi mbi të gjitha demokracia e vërtetë ngrihet efikase në shoqëritë e civilizuara. Ja si shprehet për qytetërimin Uinston Churchill në fjalimin e famshëm të vitit 1938: “Qytetërim çfarë do të thotë ? Do të thotë një shoqëri e bazuar në opinionin e qytetarëve. Do të thotë që dhuna, qeveria e luftëtarëve, dhe e kryetarëve despotikë ia lëshon vendin parlamenteve dhe trupave gjykuese të pavarura. Ky është qytetërimi – dhe në truallin e tij rriten pa ndërprerje liria, kultura dhe mirëqenia. Kur qytetërimi mbretëron në një vend, masës së popullit i ofrohet një jetë më pak e mundimshme dhe me horizonte më të gjera. Traditat janë të nderuara dhe trashëgimia e përcjellë nga njerëz të matur dhe kurajozë të së shkuarës, paraqet një pasuri të madhe në dispozicion të gjithëve. Parimi bazë i qytetërimit është nënrenditja e autoritetit të qeverisë ndaj zakoneve tradicionale të njerëzve dhe vullnetit të tyre, shprehur kjo në formë të përcaktuar të kushtetutës”.
Nëse ia kuptojmë mirë filozofinë kësaj thënie të mrekullueshme të Uinston Churchill, me siguri që do të kuptojmë më mirë se çfarë ka ndodhur dhe po ndodh aktualisht me shoqërinë dhe politikën shqiptare.
BIOGRAFIA
Kush është Nevruz Çela
Nevruz Çela është një ndër figurat qytetare durrsake me kontribute të spikatura në periudhën e ardhjes së demokracisë, bir i një familje të persekutuar nga regjimi komunist. Në vitet 90-91 përfshihet në lëvizjet punëtore kundër regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Është një ndër iniciatorët kryesorë të krijimit të sindikatës së pavarur në ORMN. Duke qenë tepër aktiv në zhvillimet e mëtejshme demokratike, me propozim të degës së PD-së Durrësit emërohet Kryetar i Komitetit Pluralist të qytetit të Durrësit, deri në gushtin e vitit 1991. Në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992 u propozua për kandidat për deputet dhe më pas u zgjodh deputet i qytetit të Durrësit, duke përfaqësuar lagjet 1, 2, 3 dhe 4 deri në muajin qershor të vitit 1996. Në parlament ai kishte funksionin e sekretarit të komisionit parlamentar të rendit, mbrojtjes dhe SHIK-ut, ku kryetar ishte heroi i demokracisë Azem Hajdari. Në zgjedhjet e radhës ai kryeson komisionin për zgjedhjen për deputet të përfaqësuesit të PD-së në Durrës, Myzafer Ypi, dhe më pas emërohet si sekretar i bashkisë së qytetit të Durrësit, deri në zgjedhjet e vitit ‘97 kur fiton bashkinë PS-ja. Më pas shkëputet nga jeta aktive politike, por mbështet si qytetar i thjeshtë dhe si intelektual zhvillimet e mëtejshme demokratike. Në vitin 2010 i sjell lexuesit shqiptar përmes një përkthimi të admirueshëm librin “Demokracia pa Iluzione” të prof. Domenico Settembrin.