Majlinda ka sjellë nënën e saj Fluturën në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Fillimisht, ajo tregon se vjen nga dy martesa të dështuara.

Nga e para ka dy fëmijë, një djalë e një vajzë të cilët nuk i sheh prej vitit 2005. Nga martesa e dytë ka një djalë të cilin e ka dërguar në medresenë e Shkodrës.

Majlinda thotë se dy fëmijët nga martesa e parë nuk mund t’i takojë për shkak të babait të tyre.

Ajo thotë se ai është një njeri i pushtetshëm dhe ka gjetur mënyra që ata mos të kenë kontakt.

Prej vitesh ajo nuk takohet dot me fëmijët, sidomos me të birin sepse vajzën ka mundur ta shohë.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishin fëmijët kur u ndave ti?

Majlinda: 8 vjeç djali, vajza 6.

Ardit Gjebrea: Janë aq të vegjël sa kanë nevojë për nënën, pastaj kur të rriten ata e marrin vetë vendimin nëse duan ta takojnë nënën ose jo.

Eni Çobani: Megjithatë gjykatat shqiptare hera-herës na befasojnë me këto vendime, por që ky është një vendim i hershëm i vitit 2005.

Ardit Gjebrea: Gjykata e paska marrë vendimin që të paktën t’i takojë se nuk po i hyjmë…

Eni Çobani: As për t’i takuar s’ka arritur dot sepse shkolla e ndalonte dhe i thoshte mos na ngatërro me atë.

Majlinda: Dhe kur shkoja në shkollë më thoshin mësuesit “ik, ik, mos na ngatërro me atë”. Vajza më vjen tani se është e martuar, çuni s’më vjen, nuk më afrohet.

Ardit Gjebrea: Pse sa vjeç është bërë vajza tani?

Majlinda: Tani është 23 vjeçe.

Ardit Gjebrea: Ishe në dasmën e saj?

Majlinda: Jo.Po çfarë dasme? As bëhej fjalë. Në një lagje jemi komshinj, unë s’kaloj dot andej,ndërroj rrugën.

Ardit Gjebrea: Po ti nuk i takon më.

Majlinda: Çupa më vjen, por djali nuk më vjen.

Ardit Gjebrea: Pse?

Majlinda: S’e di, e kanë harruar nënën, nuk më duan.

Ardit Gjebrea: E sheh nga larg djalin?

Majlinda: Po ashtu e kanë mësuar ata, nuk më vjen djali. Unë i dua, edhe pse nuk më vjen unë i dua shumë. Të tre fëmijët i dua shumë se kam tre fëmijë, por ata që nuk më vijnë, djali që nuk më vjen unë e dua shumë.

Ardit Gjebrea: Ti e shikon nga larg djalin?

Majlinda: Nga larg e shikoj./tvklan.al