Vazhdon protesta e prindërve të nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Shefqet Ndroqi” në Romanat të Durrësit, pas problemeve që u shfaqën këtë sezon të ri me ndërprerjen e transportit për fëmijët.
Nxënësit e kësaj shkolle duhet të përshkojnë në këmbë deri në 3 km çdo ditë për të ndjekur procesin mësimor dhe nisur nga kjo situatë shqetësuese, prindërit shprehen se fëmijët e tyre nuk e kanë të mundur të ecin për më shumë se 45 minuta në një rrugë pa trotuare, ku makinat lëvizin me shpejtësi.
Frika nga aksidentet, që rrezikojnë jetën e këtyre fëmijëve është e vazhdueshme, duke i shtuar edhe përkeqësimin e kushteve atmosferike, ndërsa problemi nuk ka marrë zgjidhje, megjithëse i janë drejtuar me kërkesa zyrtare institucioneve përgjegjëse si: Bashkisë Durrës, Drejtorisë Vendore të Arsimit si dhe Njësisë Administrative.
“Janë mbi 3 km rrugë që duhët të bëjnë fëmijët nga 7 deri në 10 vjeç. Ku do shkojnë mess shiut e stuhisë? Prindërit janë në punë. Kemi shkuar te znj. kryetare e bashkisë, na thanë që do e zgjidhin po deri tani skanë bërë gjë. Ta paguajmë vetë me lëkë autobusin, vetëm fëmijët mos t’i lëmë rrugëve. është skandal i madh, ç’më duhet mua puna para fëmijës?”, shprehet një prind.
“Kemi kërkesën e firmosur nga 23 prindër, të drejtuar të gjitha institucioneve dhe po presim një përgjigje e ende s’e kemi marrë”, thotë një nga nënat e nxënësve të vegjël.
Shqetësimin e prindërve e ka përkrahur edhe anëtarja e Këshillit Bashkiak Durrës, Anisa Ibraj. Sipas saj, transporti për këta nxënës duhet të mbulohet nga shteti në mënyrë urgjente.
“Ne kërkojmë të drejtën që iu takon fëmijëve për t’u arsimuar dhe edukuar. Ne do qëndrojmë këtu, do bojkotojmë shkollën nëse nuk gjendet një zgjidhje. Unë do ta ngrej shqetësimin, por nuk kam kohë një muaj deri në mbledhjen tjetër të Këshillit Bashkiak ndërkohë që situata nuk ka kohë të presë”, shprehet Anisa Ibraj.
Në pritje të përgjigjes zyrtare, prindërit do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre pasi për ta është i pamundur shkollimi i fëmijëve në këto kushte. Në mungesë të zgjidhjes së problematikës, ata do të përshkallëzojnë protestat deri në bojkotim të procesit mësimor.