Përveç identifikimit dhe kapjes së autorëve të vrasjes së dyfishtë të Ervin Dalipajt dhe Xhino Dautit, policia dhe prokuroria e Durrësit janë të intriguar për faktin se pse Dauti lëvizte pa eskortë atë ditë, ku kanë qenë më parë dy të rinjtë që u ekzekutuan brenda në makinën tip Audi S8 dhe cili ishte në dijeni të itinerarit të tyre, për të organizuar më pas edhe atentatin e stilit mafioz?

Nga hetimet e deritanishme të policisë dhe grupit të prokurorëve të Durrësit është zbuluar se Xhino Dauti strehohej në Durrës, në një hotel luksoz brenda qytetit bregdetar dhe gjithmonë dilte i shoqëruar nga dy automjete, një para dhe një pas automjetit që drejtonte vetë.

Por çfarë e shtyu atë ditë të riun të lëvizte i pashoqëruar në mes të ditës?

Marrja në pyetje e familjarëve të tij pritet të hedhë dritë mbi personat, të cilët e mbanin nën mbikëqyrje dhe që atë ditë mungonin duke e lënë 27-vjeçarin vetëm me ish-shefin e krimit ekonomik të Tiranës, Ervin Dalipaj.

Prokurori i çështjes, Drini Pali, ju ka dërguar një sërë bizneseve në rrugën dytësore Maminas-Shijak- Durrës kërkesën për të dhënë pamjet filmike të kasetave të kamerave të sigurisë në këtë segment.

Hetimet po vazhdojnë me intensitet dhe pavarësisht kësaj prokuroria ende nuk ka një emër konkret për autorët e ekzekutimit të tipit mafioz.

Burime nga grupi hetimor kanë bërë me dije se marrja e pamjeve filmike mund të hidhte dritë mbi makinat e atentatorëve apo edhe itinerarin e tyre. Bizneset nuk i japin ato, sepse i druhen frikës se mund të identifikohen nga ana e ekzekutorëve.

Aktualisht po bëhet krehja e të gjithë zonës së Shijakut për identifikimin e personave që kanë më shumë dijeni deri tani në lidhje me aktivitetin e 27-vjeçarit. 

K.H.