Nga Gladiola Busulla

   DURRËS, 24 tetor 2014 – Profil qytetar: Deputetja Shkjau – sharmante, e dashur dhe e qeshur, Esmeralda duket si mikesha e të gjithëve. Pasionin e madh për politikën, ajo ka vendosur ta ndajë me lexuesit e Portalit “Dyrrah”.

Esmeraldë, ç’do të thotë për ju politikë dhe impenjim politik?

Politika është përgjigje ndaj problemeve të shoqërisë me anë të vendimeve të detyrueshme për shoqërinë, të cilat duhet të sjellin efekte pozitive për të gjithë. Sipas meje, politikë do të thotë gjithëpërfshirje e të gjitha instancave, faktorëve dhe aktorëve të një shteti, në funksion të një kauze të vetme “ Demokracisë Sociale”, e cila ndër vite dhe në vende të ndryshme ka treguar që është e vetmja zgjidhje, për një shërbim më të mirë të institucioneve publike ndaj qytetarëve, e arritur kjo dhe  në  bashkëpunim me sektorn privat, i cili është partneri kryesor dhe një shtyllë e domosdoshme për shtetin dhe zhvillimin e tij. Personalisht jam angazhuar prej vitesh në strukturat politike të Partisë Socialiste dhe jam munduar t’i shërbej komunitetit durrsak, duke pasur dhe mbështetjen e të rinjve të cilët janë pjesa më e rëndësishme e një vendi. Sot kam mundësinë të përfaqësoj të gjithë qytetarinë durrsake, një kënaqësi, por dhe një detyrë shumë e rëndësishme, e cila kërkon angazhim dhe impenjim dinjitoz në shërbim të tyre.

Ku fokusohet roli juaj si deputete e Partisë Socialiste?

Roli im si deputete fukosohet në të qenit afër elektoratit tim, qytetarëve durrsakë; të bashkëpunoj me bizneset dhe institucionet e ndryshme për të rritur më shumë ndjeshmërinë mbi çështjen e punësimit të gruas në shoqëri, për t’i nxitur këto të fundit që të kenë një biznes të tyrin, apo për t’i motivuar që pse jo të shndërrohen në lideret e së nesërmes, të finalizojnë pavarësinë e tyre, ekonomike dhe sociale. Si deputete përpiqem dhe kujdesem që të gjithë qytetarët e këtij qyteti të jenë bashkëpunëtorët e mi më të afërt dhe unë të jem zëri i tyre përfaqësues në  parlament!

Cili është projekti juaj më i afërt ? Cilës prej kauzave që keni më përzemër i shërben ai?

Shumë projekte gëlojnë mbi tryezën e punës sime. Vlen të përmendet fakti se ato janë të natyrës sociale, kulturore, ekonomike në funksion të zhvillimit të qytetit, ndaj unë i kam përzemër, të gjitha këto projekte. Gjithsesi, kauza ime mbetet veç një: t’u shërbej bashkëqytetarëve të mi me modestinë, energjinë dhe përkushtimin që karakterizojnë një deputete të re .

 Në kuadër të aktiviteteve që zhvillohen në muajin tetor, për parandalimin e kancerit të gjirit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetit Publik jam angazhuar në një fushatë sensibilizuese, që u vjen në ndihmë të gjitha zonjave mbi moshën 50 vjeç, të cilat duhet me doemos t’u nënshtrohen kontrolleve të mamografisë.

Gjithashtu, jam angazhuar që së bashku me gratë sipërmarrëse të qytetit, të krijojmë një rrjet bashkëpunimi me njëra – tjetrën, për të pasur një performancë sa më të mirë në treg, duke i dhënë dhe mbështetjen e funksionit tim si deputete në kërkesat që kanë ndaj politikave fiskale.

Tjetër impenjim i rëndësishëm për mua në këtë moment, është dhe bashkëpunimi me “ Shtëpinë e Foshnjës në Durrës”, ku së shpejti presim që të bëhet një investim i konsiderueshëm për t’u ardhur në ndihmë këtyre krijesave të penalizuara nga fati e prindërit biologjikë. Këtij projekti i kam dhuruar shumë kohë, shumë dashuri, shumë nga vetja ime.  Të rëndësishme janë dhe marrëdhëniet e veçanta që kam krijuar me studentët e Universitetit të Durrësit, të cilët janë një tjetër shtyllë e vlefshme për zhvillimin e qytetit. Dua që gjithnjë të më konsiderojnë si përkrahësen e tyre.

Shtresat vulnerabël janë një tjetër dobësi e imja, ndaj në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Bashkinë e Durrësit kam ndërmarrë angazhime personale për ta, për t’u ndenjur sa më pranë, dhe mbi të gjitha për të ndërgjegjësuar dhe shoqërinë që të kthejë vëmendjen tek ata.  

Në Portalin “Dyrrah” Esmeraldë, jeni cilësuar si një ndër 5 femrat më të bukura të politikës shqiptare.A jeni ndjerë ndonjë herë e penalizuar  për shkak të paraqitjes se jashtme dhe moshës së re?

Absolutisht që jo. Përfitoj nga rasti t’u shpreh mirënjohjen atyre që më kanë renditur si njërën ndër pesë politikanet më të bukura shqiptare. Ndihem mirë me këtë fakt, sepse është tregues dashamirësie. Pamja e jashtme mbetet e rëndësishme, por jo prioritet dhe domosdoshmëri në punën time. Të qenit në politikë, do të thotë të qenit në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit, publikun, kamerat, ekranin, mediat dhe si rrjedhim duhet të përkujdesem vazhdimisht për lookun-un tim. Por nga ana tjetër, ndiej se duhet theksuar fakti që pamja e jashtme s’duhet të përbëjë pengesë apo ngërç për askënd, sepse thelbësore janë intelekti, mirësia, edukata etj. Por duke u rikthyer tek Esmeralda; mosha ime e re, përveç se asociohet me një pamje të freskët e të këndshme, lidhet dhe me motivimin që mund të gjejnë të rinjtë e të rejat brenda politikës shqiptare. Kështu e përkufizoj unë veten: një figurë e re në parlament, me ide të reja dhe e predominuar nga qëllime të larta.

Ç’raporte keni me gratë e forcave të tjera politike në Parlament?

I respektoj  të gjitha koleget e mia në parlament. Kam marrëdhënie korrekte me të gjitha, madje me disa syresh kam krijuar një shoqëri të bukur, pavarësisht pavarësisht forcave politike që përfaqësojmë. Mbi të gjitha, gratë duhet të mbështesin njëra-tjetrën dhe politika duhet ta japë e para këtë model. Gjithashtu kemi dhe Kryesinë e grave deputete, ku bashkëpunojmë për projekte dhe aktivitete të ndryshme që kanë në qendër rolin e gruas në shoqëri.

A doni të ndani dhe diçka të fundit me lexuesit e Portalit tonë?

Së pari i falenderoj pa masë për mbështetjen, interesimin dhe vlerësimin ndaj punës sime. Mendimet, sugjerimet dhe kritikat tuaja janë gjithnjë të mirëpritura sepse i shërbejnë zhvillimit dhe përmirësimit. Së dyti nuk do të resht kurrë së qeni pranë lexuesve, që janë njëkohësisht dhe bashkëqytetarët e mi të dashur, që më kanë dhënë besimin dhe suportin e tyre.