TIRANE – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim në selinë rozë me Ambasadorin e BE-së në vendin tonë Ettore Sequi. Mësohet se takimi i zhvilluar pa praninë e mediave ka zgjatur vetëm 20 minuta. 

Në përfundim të takimit, ambasadori Sequi tha se ka qenë një takim periodik që ka pasur në fokus çështje që kanë të bëjnë me aktualitetin politik dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 

Duke qenë se takimi ka qenë informal dhe ka zgjatur vetëm 20 minuta, nuk priten të bëhen publike detaje të tjera rreth bisedës mes Ramës dhe ambasadorit të BE-së. 

Ky është takimi i dytë mes ambasadorit Sequi dhe kreut të opozitës në pak ditë. Javën e kaluar trojka e ambasadorëve ishte në selinë rozë në një takim me kryesocialistin Rama. 

Ambasadorët bënë të ditur se përfaqësitë diplomatike po e ndjekin me vëmendje situatën politike në Shqipëri, retorikat nacionaliste dhe situatën në Luginën e Preshevës, pas heqjes së lapidarit të UÇPMB-së.