Paraditen e sotme, u prezantuan projektet e 4 objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti, të cilat do të rindërtohen nga programi EU4School i BE.

Në dëgjesën publike ku merrnin pjesë drejtorë shkollash, mësues dhe nxënës, por edhe qytetarë të Durrësit, kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi se një rëndësi e veçantë i është kushtuar nga qeveria shqiptare dhe BE rindërtimit të institucioneve arsimore në qytetin bregdetar, të cilat pasi të dorëzohen do të jenë shumë më të mira dhe më të forta sesa ekzistueset.

“Ringritja e shkollave pas tërmetit është një model i papërsëritshëm dhe mishërim i besimit në ringritjen e Durrësit. Qëllimi i ndërhyrjes së menjëhershme të qeverisë shqiptare por edhe BE nëpërmjet EU4Schools ishte rivendosja e menjëhershme e shërbimeve dhe infrastrukturës mësimore në komunitetet e zonave në mënyrë që të kishte humbje sa më minimale të procesit mësimor si dhe më tej në normalizimin gradual të jetës dhe rikthimin në normalitet. Ndërhyrjet në shkollat e Durrësit janë kryer në bazë të strategjive afatgjata sipas qasjes “build back better” e cila ofron mundësinë për të rindërtuar infrastrukturë dhe sisteme më të forta, më të sigurta, me standarte më të larta dhe më rezistente ndaj fatkeqësive. Këto objekte të reja arsimore jo vetëm që janë më të sigurta dhe komode për nxënësit por i japin mundësi edhe stafit pedagogjik të kenë kushte optimale mësimdhënie.”,- tha Sako.

Deri më tani në Durrës janë rindërtuar me fondet e BE-së shkolla Teknologjike “Hysen Çela dhe kopshti “1 qershori”, ndërsa pritet të nisin rindërtimin 15 godina të tjera.

Para të pranishmëve u paraqit projekti i shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi”, në të cilën sapo të shembet do të nisë rindërtimin menjëherë. Në shkollën më 600 nxënës është parashikuar të ndërtohet edhe ashensor, rampa dhe tualete për personat me aftësi të kufizuara.  

Të gjitha godinat shkollore që do të rindërtohen nga e para do të ndërtohen sipas standarteve të Eurocode-8.