Eugent Bushpepa me këngën “Mall” është shpallur fitues i edicionit të 56-të të Festivalit të Këngës në Radio Televisionin Shqiptar. 

Emri më i lakuar për fitoren e çmimit të parë, edhe këtë herë nuk ka dalë jashtë parashikimeve.

Me një performancë të shkëlqyer “live”, Genti u votua nga juria profesioniste e festivalit e përbërë nga Markelian Kapidani, Luan Zhegu, Ben Andoni, Sokol Marsi, Edmond Rapi, por arriti të rrëmbente edhe duartrokitjet e publikut, të cilat zgjatën prej më shumë se 1 minute, duke e rikthyer dy herë në skenën e magjishme, këngëtarin.

Në fjalët e para pas shpalljes fitues Eugent Bushpepa u shpreh shumë i emocionuar për këtë çmim dhe nderim që i bëhet.

"I falënderoj të gjithë shumë faleminderit për mundësinë që më dhanë për të përfaqësuar shqiptarët në Eurovision, do mundohem të jap maksimumin."