21 nëntor 2015 – Jo vetëm disa nga lojtarët e Zvicrës, edhe tifozët spanjollë dëshirojnë Shqipërinë në grup në fazën finale të Euro 2016. Është ky përfundimi që del nga një sondazh i Sefutbol.com, faqe zyrtare e Kombëtares Spanjolle të Futbollit, ku tifozët e La Rojas të pyetur mbi kundërshtarët që do të dëshironin në shortin që do të hidhet në 12 Dhjetor në Paris, kanë përzgjedhur Austrinë, Hungarinë, dhe Shqipërinë si rivalët më të parapëlqyer për fazën e Grupeve të Europianit të vitit të ardhshëm. Emrat e përzgjedhur indikojnë qartë se bëhet fjalë për një preferencë të diktuar nga shkalla e vështirësisë që parashikojnë tifozët spanjollë, pasi nga cdo vazo kanë votuar mbi atë që konsiderojnë si kundërshtarin ideal që do ti hapte më pak punë kampionëve të Europës.
Në tabelën grafike të anketës për vazon e katërt të shortit ku bën pjesë edhe Shqipëria, vërehet qartë se Shqipëria ka marrë shumicën e preferencave më saktësisht 33.33 % cka do të thotë se një ndër tre votues ka zgjedhur kuqezinjtë e De Biasit. Pas Shqipërisë vjen Uellsi, një tjetër surprizë e fushatës kualifikuese të Euro 2016 me 25% të votave dhe pastaj Turqia që është votuar nga 19.79 të anketuar. Shqipëria është shortuar ndërkohë në të njëjtin Grup me Spanjën në eleminatoret e Botërorit Rusi 2018, dhe duket qartë se pavarësisht arritjes që bëri me kualifikimin në Europian shihet ende me skepticizëm mbi forcën reale që do ta shfaqë në Europian duke u përzgjedhur si një ndër kundërshtarët më të lehtë të mundshëm, opinion ky që De Biasi dhe djemtë e kombëtares do të kenë shansin për ta ndryshuar pikërisht në fazën e Grupeve në Francë.
/portali DurresLajm/