UEFA ka mbyllur sot përfundimisht procedurën e shitjeve të biletave për Kampionatin Evropian të Futbollit France 2016. Në total, për tre ndeshjet e para të skuadrës kuqezi, janë vënë në dispozicion 26 806 bileta, ndërkohë që kërkesa e tifozëve shqiptarë në UEFA për këto tre ndeshje është më tepër se dyfishi, rreth 54 700.
Ndeshja e parë e Shqipërisë ndaj Zvicrës është ajo me numrin më të madh të kërkesave. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e Lilës, me një kapacitet prej 50 000 vendesh dhe Shqipërisë për këtë ndeshje i takojnë vetëm 5 814 bileta, ndërkohë që kërkesat ishin mbi katër herë, rreth 23 200 kërkesa.
I njëjti fluks ndodh edhe me dy ndeshjet e tjera, edhe pse propabiliteti i sigurimit të një bilete është më i madh, për shkak të kapaciteteve më të mëdhenj të stadiumeve të tjerë. Ndeshja e dytë e Shqipërisë do të luhet në Marsejë me Francën. Stadiumi “Velodrom” ka një kapacitet prej 67 000 vendesh dhe, si rrjedhojë, në dispozicionin e tifozëve shqiptarë do të jenë 11 108 bileta, ndërkohë që numri i kërkesave ka shkuar në rreth 16 600.
E madhe ka rezultuar edhe kërkesa për bileta për ndeshjen e fundit me Rumanine, që do të luhet në Lion. Në dispoziconin tonë janë 9 884 bileta, ndërkohë që kërkesat kanë shkuar në rreth 14 800.
UEFA ka mbyllur edhe shortin e përzgjedhjes së përfituesve të biletave, por gjithësecili që ka aplikuar do të mësojë nëse e ka siguruar apo jo biletën vetëm në fundin e muajit shkurt. Përparësi nga Federata Shqiptare e Futbollit do të ketë Klubi i Tifozëve të Kombëtares, i cili ka shkuar në rreth 1000 tifozë.
Marrë nga Top Channel