Këtë të djelë, ishte rradha e “tulipanëve” të zbrisnin në fushën e lojën, në këtë sfidë të parë për Euro 2024, përballë Polonisë.

Të dyja këto kombëtare kishin të përbashkëta në prag të këtij evropiani: mungesat për shkak të dëmtimeve. Holanda që humbi dy mesfushorët e saj më të mirë De Jong dhe Koopmeiners, si dhe sulmuesin Brobei, ndërkohë që polakët humbën për dy ndeshjet e para Lewandovskin dhe sulmuesin e Juventusit, Milik.

Titullar në majën e sulmit në këtë ndeshje, ishte Buksa, futbollist që aktivizohet në Superligën Turke. Por ishte pikërisht ky sulmues, që dërgoi në avantazh Poloninë, në minutën e 16-të, pas një devijimi të saktë me kokë, pas harkimit nga këndorja.

Holanda, gjithsesi nuk u vendos në panik dhe kërkoi menjëherë reagimin, duke tentuar në dy momente me sulmuesin e saj kryesor, Memphis Deepay, por pa rezultat.

Gjithsesi ofensiva e “tulipanëve” u shpërblye në minutën e 29-të , kur një goditje e Gakpos nga jashtë zone, u devijua duke bërë që topi të ndalej në rrjetë, e duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit të Juventusit, Szczesny.

3 minuta nga fundi i pjesës së parë, Holanda i’u afrua ndjeshëm golit të avantazhit, me Gakpo që nga fare pranë portës kundërshtare nuk u koordinua si duhet, pas një pasi perfekt nga e majta, të Ake-s.

Pjesa e dytë, filloi sërish me polakët më agresivë, që shkuan pranë golit me Zilinskin. Në këtë pjesë, tekniku i “tulipanëve” aktivizoi edhe sulmuesin Weghorst dhe Malen dhe ishte pikërisht ish sulmuesi i Manchester United, Wout Weghorst, të cilit i mjaftuan vetëm 2 minuta lojë, për të përfituar nga një pakujdesi brenda zonës së polakëve, për të shtyrë topin në rrjetë.

Holanda merr tre pikët e para, në pritje të sfidës tjetër të Grupit D, asaj që do të luhet të hënën, ndërmjet Austrisë dhe Francës.