Kursi i këmbimit të lekut ndaj euros po reflekton gjithnjë e më fort efektet sezonale. Shtimi i fluksit të turistëve ka rritur ofertën për valutë në treg, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi monedhën e përbashkët.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 93.78 lekë, duke u nënçmuar me 0.11 lekë krahasuar me ditën e mëparshme. Ky është niveli më i ulët historik i regjistruar ndonjëherë.
Në raport me fillimin e këtij viti, monedha e përbashkët është nënçmuar me 3.04%, ose gati 3 lekë.
Për periudhën nga 3 janari deri më 8 korrik, një euro është këmbyer mesatarisht me 95.7 lekë, nga 97.8 lekë që ishte mesatarja e vitit 2025.
Rënia është edhe më e fortë në një krahasim afatgjatë. Në raport me mesataren e vitit 2015, kur një euro këmbehej me 139.7 lekë, monedha e përbashkët është zhvlerësuar me 31.5%, ose rreth 44 lekë.
Aktorët e tregut pohojnë se forcimi i lekut lidhet me një kombinim faktorësh. Një prej tyre është fluksi i parave informale që hyri në vend pas vitit 2016 dhe u kanalizua kryesisht në sektorin e ndërtimit.
Pas vitit 2022, një ndikim gjithnjë e më të madh kanë pasur edhe të ardhurat nga turizmi. Në vitin 2025, hyrjet e shtetasve të huaj në vend i kaluan 12 milionë.
Rënia e ditëve të fundit lidhet kryesisht me efektet sezonale, si rrjedhojë e prurjeve valutore nga turistët gjatë sezonit veror.
Nënçmimi i euros ka dëmtuar ndjeshëm eksportuesit, si edhe sektorin turistik, i cili siguron një pjesë të të ardhurave në euro. Ai ka ulur gjithashtu vlerën në lekë të remitancave të emigrantëve.
Në kahun tjetër, forcimi i lekut ka qenë pozitiv për importuesit, të cilëve u duhen më pak lekë për të blerë të njëjtën sasi mallrash në valutë. Përfitime ka pasur edhe buxheti i shtetit, që paguan më pak për shërbimin e borxhit të jashtëm, si edhe shqiptarët që udhëtojnë jashtë vendit për pushime apo qëllime të tjera./Monitor





