Kursi i këmbimit Euros ndaj Lekut po vazhdon rënien dhe ka zbritur tashmë poshtë kufirit të 104 lekëve.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 103.97 lekë, niveli më i ulët që prej datës 14 gusht.

Monedha Europiane ka shënuar ditën e pesëmbëdhjetë radhazi në rënie, në një cikël të ri rënieje të papritur që e ka zbritur në nivelet e shënuara gjatë sezonit veror. Kursi i Euros ndaj Lekut paraqitet në rënie me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, oferta e Euros në treg vazhdon të jetë e lartë, ndërsa kërkesa për të e vakët.

Rënia e Euros, e kombinuar me ecurinë e kursit në tregjet ndërkombëtare, po ndikon edhe në rënien e valutave të tjera. Dollari Amerikan ka pësuar gjithashtu një rënie të fortë me 1.23 lekë dhe ka prekur vlerën e 95.82 lekëve më e ulëta që prej datës 14 gusht.

Megjithëse Euro u konfirmua në pozita të forta edhe pas përfundimit të sezonit veror, kjo trajektore e re rënëse ishte disi e papritur. Në tremujorin e fundit pritshmëritë ishin më shumë për një korrektim të lehtë në rritje, duke pasur parasysh rënien e prurjeve nga turizmi dhe një rritje të ofertës së Lekut, si rezultat i shpenzimeve të shtuara buxhetore gjatë muajve të fundit të vitit. Por, deri tani asgjë e tillë nuk ka ndodhur.

Madje, rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në fillim të këtij muaji, por edhe sinjalet për një rritje të mëtejshme të tyre gjatë muajve të ardhshëm mund t’i kenë dhënë një shtysë forcimit të monedhës vendase. Pritshmëritë për rritje të normave të interesit në vetvete përbëjnë një stimul që investitorët të rrisin kërkesën për monedhën vendase, duke shtuar kërkesën për të. Megjithëse në teori normat bazë për Euron ngelet më e lartë se ajo e Lekut (4.5% kundrejt 3.25%), mundësitë e investimit të Euros në tregun e brendshëm financiar janë të kufizuara. Një cikël i ri rritjeje të normave të interesit të Lekut mund të zgjojë sërish interesin e investitorëve, ashtu siç ndodhi në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, oferta e lekut në tregun financiar duhet të jetë ende e ulët, siç dëshmohet nga vlerat e larta të suficitit buxhetor, stanjacioni i depozitave në monedhën vendase dhe në përgjithësi rritja e dobët e agregatit monetar M2.

Nga ana tjetër, kërkesa për Euro paraqitet e vakët, çka mund të shpjegohet me sinjalet e dobësimit të kërkesës konsumatore në vend. Ky dobësim është kompensuar pjesërisht nga efekti i turizmit, veçnërisht në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit. Por, me kalimin e periudhës së pikut turistik, një rënie e kërkesës konsumatore mund të jetë më e prekshme.

Një nga importuesit kryesorë të ekonomisë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, gjithashtu pas muajit nëntor i ka ndërprerë importet, që gjithsesi këtë vit ishin në vlera modeste, sidomos krahasuar me vitin e kaluar. Rreshjet e shiut në javët e fundit kanë shtuar prurjet hidrike dhe kanë rritur prdohimin e energjisë, duke i mundësuar KESH nisjen e eksporteve që prej fillimit të këtij muaji.

Një trajektore e re e forcimit të Lekut ndihmon në uljen e mëtejshme të presioneve inflacioniste në ekonomi, duke i bërë më të lira importet e mallrave dhe shërbimeve. Por, nga ana tjetër, Leku më i fortë shton vështirësitë për sektorët eksportues të ekonomisë, që këtë vit kanë pësuar humbje të konsiderueshme si rezultat rënies së kursit të Euros./MONITOR

Burimi: BSH