Bashkimi Evropian po përgatitet për fazën përfundimtare të euro dixhitale, një hap që shumë e shohin si fillimin e zëvendësimit të parave të gatshme. Banka Qendrore Evropiane (BQE) synon që kjo monedhë dixhitale të jetë sa më e ngjashme me paratë fizike në aspektin e privatësisë, sigurisë dhe aksesit.

A rrezikohen paratë e gatshme?

Megjithëse BQE siguron se euro dixhitale nuk do të zëvendësojë menjëherë cash-in, skeptikët mbeten të shqetësuar. Eurodeputeti gjerman Patrick Breyer ka paralajmëruar për pasojat e mundshme të një tranzicioni të shpejtë drejt pagesave dixhitale, duke theksuar rrezikun e normave negative të interesit dhe rritjen e varësisë nga bankat.

Tendenca e pagesave dixhitale është përforcuar sidomos pas pandemisë COVID-19. Nga viti 2019 deri në 2022, përdorimi i parave të gatshme në eurozonë ra nga 72% në 59%, ndërsa numri i kartëmonedhave në qarkullim shënoi rënie për herë të parë vitin e kaluar.

Procesi drejt euro dixhitale

Në tetor 2021, BQE nisi studimin për emetimin e euro dixhitale si një monedhë zyrtare dixhitale të bankës qendrore (CBDC). Në qershor 2023, Komisioni Europian propozoi kuadrin ligjor për ta bërë atë realitet, ndërsa tashmë pritet finalizimi nga ligjvënësit e BE-së.

Skepticizmi rreth këtij projekti është rritur, sidomos për shkak të masave më të ashpra për përdorimin e parave të gatshme, të justifikuara me luftën kundër ekonomisë informale. Disa kritikë e shohin këtë si një përpjekje për të eliminuar gradualisht cash-in në favor të pagesave elektronike.

Vendet nordike në krye të tranzicionit dixhital

Ndërsa disa vende si Gjermania, Armenia dhe Gjeorgjia ecin më ngadalë drejt një të ardhmeje pa para të gatshme, vendet nordike si Norvegjia, Finlanda dhe Danimarka janë liderë në këtë transformim. Një analizë e bazuar në të dhënat e Bankës Botërore dhe Eurostat tregoi se Norvegjia është vendi më i përgatitur për një sistem totalisht dixhital, pasi ka një numër të ulët ATM-sh dhe 96% e popullsisë përdor bankingun online.

Në dhjetëshen e parë të vendeve më të përshtatura për një ekonomi pa para të gatshme renditen gjithashtu Holanda, Suedia, Islanda, Estonia, Lituania, Qiproja dhe Zvicra.

Me këtë ritëm dixhitalizimi dhe reduktimin e numrit të ATM-ve, eliminimi i parave të gatshme duket gjithnjë e më i mundshëm në të ardhmen.