Kursi i këmbimit Euro-Lek shënoi një tjetër rritje të fortë ditën e enjte. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye në vlerën e 104.87 lekëve, në rritje me 2.65 lekë krahasuar me ditën e djeshme dhe me 4.38 lekë krahasuar me minimumin historik prej 100.49 lekëve që u arriti të enjten e kaluar.
Agjentët e tregut shprehen se të gjitha bankat tregtare kanë dalë në blerje të valutës, duke shtuar kërkesën dhe duke e rritur kursin me ritme të larta. Ekspertët besojnë se kjo situatë është tipike e kërkesave në vlera të mëdha nga klientë korporativë. Bankat po blejnë valutë për të përmbushur këtë kërkesë ose për të mbyllur pozicionet nga shitjet në vlera të mëdha të realizuara. Sipas informacioneve nga tregu, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka blerë rreth 30 milionë euro, në funksion të nevojave për importin e energjisë.
Vitin e kaluar importet e energjisë nga KESH luajtën një rol të konsiderueshëm në kursin e këmbimit dhe sollën rritje të përkohshme të kursit, siç ndodhi në muajin mars 2022. Megjithatë, pas nëntorit 2022, rritja e prodhimit të brendshëm të energjisë ulu nevojën për importe dhe ndikoi në uljen e kërkesës për euro dhe në rënien e kursit të monedhës europiane në muajt e fundit të vitit. Me sa duket, rifillimi i importeve të energjisë mund të jetë një faktor që do të ndikojë përsëri kursin e këmbimit valutor.
Agjentët mendojnë se në treg mund të ketë pasur edhe subjekte të tjera që kishin zgjedhur këtë periudhë të vitit për të blerë valutë, mbështetur në pritshmëritë për rënien sezonale të kursit Euro-Lek. Kjo ka sjellë një kërkesë të përqendruar dhe rritje krejt të pazakontë të Euros, pikërisht në pikun e sezonit turistik. Rritja e papritur e kërkesës ka sjellë një lloj paniku, që ilustrohet edhe nga rritje e shpejtë e marzheve të këmbimit, si një mekanizëm që agjentët e përdorin për të shmangur humbjet nga luhatjet shumë të forta afatshkurtra.
Kursi ka ndjekur një dinamikë të ngjashme edhe më herët këtë vit, kur, pas një trajektoreje të gjatë rënëse, Euro ka shënuar një rritje të fortë disa ditore. Ekspertët besojnë se një skenar normal rritja e kursit me këto përmasa nuk do të zgjasë shumë, edhe duke pasur parasysh se në këtë periudhë të vitit oferta valutore vlerësohet të jetë mjaft e lartë.
Rritja e shpejtë e Euros, ashtu siç pritej, ka tërhequr pas vetes edhe shumicën e valutave të tjera të rëndësishme. Dollari Amerikan u këmbye me 94.23 lekë, duke prekur nivelin më të lartë në dy javët e fundit. Edhe Paundi Britanik u rrit, duke arritur vlerën e 122.29 lekëve dhe duke prekur gjithashtu nivelin më të lartë në më shumë se dy javë.
/Monitor