Eurot e fshehura në makinë, tashmë të sekuestruara nga policia e Durrësit, sipas ekspertëve nuk janë gjë tjetër veçse ajo që kanë paralajmëruar prej kohësh analistët e ekonomisë për praninë e valutës informale në vend. Sipas Zef Preçit, kjo përbën problem shumë të madh në ekonomi.

“Ilustron shqetësimin që ekziston dhe pafuqinë e institucioneve ligjzbatuese, këto para janë një kërcënim serioz në tërësi për sistemin bankar”.

Sasinë e madhe të valutës në treg e lidhin me paratë e krimit, që është një nga shkaqet që po mban edhe një euro të dobët prej muajsh. Pra veç faktorëve sezonalë të përhershëm, ndryshimeve të kursit të këmbimit, sipas ekspertëve i shtohen edhe paratë e informale.

“Ajo që bën ndryshim është prania e parasë me origjinë kriminale që kryhen jashtë vendit dhe investohen në Shqipëri ose paratë e drogës”.

Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në fillim Qershori duke tërhequr valutë nga tregu ndikuan disi në frenimin e rënies së Euros por sërish ajo vazhdon të mbetet e dobët.

Këtë të hënë monedha europiane e ka nisur javën duke humbur pikë lekut dhe sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 1 Euro u këmbye sot me 125.89 lekë, duke rënë 0.2 lekë në krahasim me ditën e premte. /Klan Plus