Qershor 2014, Shqipëria në BE? Por kryeministri i Italisë Enrico Letta ka bindjen se në zgjedhjet e ardhshme për parlamentin evropian, që do të mbahen në pranverë të vitit 2014, rritja e nivelit të euroskepticizmit dhe popullaritetit të pikëpamjeve ultra të djathta mund të çojë në krijimin e “Parlamentit më anti-evropian” në historinë e Bashkimit Evropian

DURRËS, 9 janar 2013 –  “Tërmet politik” parashikojnë për Evropën në vitin e ardhshëm disa ekspertë. Sipas mendimit të tyre, në zgjedhjet e ardhshme për parlamentin evropian, që do të mbahen në pranverë të vitit 2014, ekziston probabiliteti i lartë i suksesit të euroskeptikëve dhe radikalëve. Ata duhet të ndalojnë rrëshqitjen e mëtejshme të Evropës në kaosin e tolerancës së tepruar.

Rritja e nivelit të euroskepticizmit dhe popullaritetit të pikëpamjeve ultra të djathta mund të çojë në krijimin e “Parlamentit më anti-evropian” në historinë e Bashkimit Evropian, shprehet me bindje të plotë Kryeministri i Italisë Enrico Letta. Udhëheqësja e Frontit Kombëtar francez Marine Le Pen tashmë u takua në Hagë me kreun e Partisë holandeze të Lirisë, Geert Wilders. Të dy politikanët duan të formojnë deri në momentin e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian bashkimin e “euroskeptikëve”. Me të mund të bashkohen edhe parti të tjera të ekstremit të djathtë evropian.

Më parë Brukseli e vërente aktivitetin e nacionalistëve dhe radikalëve si lojë fëmijësh. Por në situatën e re që është krijuar zyrtarët evropianë do të jenë të detyruar t’i marrin mjaft seriozisht “të djathtët”, mendon një ekspert i Institutit rus të Studimeve Ndërkombëtare: “Partia më e madhe dhe më autoritative nacionaliste është Fronti Kombëtar në Francë, i cili që tani, në bazë të të gjitha sondazheve të opinionit publik, renditet ndër vendet e para në renditjen e votimit në zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Prania aktive e anëtarëve të saj në Parlamentin Evropian mund të çojë në marrjen e vendimeve shumë interesante në lidhje me çështje aktuale dhe zhvillimin e përgjithshëm të Evropës”. Por disa ekspertë besojnë se shkalla e frymës së protestës dhe prirjeve nacionaliste në BE është mbivlerësuar si tepër.  Megjithatë, duhet thënë se Bashkimi Evropian po lufton me këto dukuri të krizës tashmë që prej disa vitesh. Në një situatë të tillë zakonisht shtrohet çështja e korrektimit serioz të strategjisë. Disa analistë konfirmojnë se prania “e djathtë” në Parlamentin Evropian duhet të ndryshojë kursin strategjik në drejtim të shtrëngimit. Pas zgjedhjeve mund të priten masa më të vendosura për kapërcimin e problemeve të brendshme: papunësisë, krizës financiare dhe distancimit nga planet populiste për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së në drejtim të Lindjes.

Nëse parashikimi del, Shqipëria sërish mund të mos marrë statusin e kandidatit në qershor 2014. Kjo për faktin se, përveç holandezëve, janë edhe të djathtët francezë, britanikë dhe gjermanë që mund të thonë jo për Shqipërinë, ndonëse eurodeputetja aktuale e djathtë gjermane Dorris Pack sugjeron që së pari Shqipëria duhet të shohë nga vetja para se të dalë në konkluzione se mosmarrja e statusit lidhet me disa elemente ekstremiste të Evropës, siç u pretendua në fakt nga vetë kryeministri Edi Rama. “Është Shqipëria që pret të marrë statusin e kandidatit. Ju duhet të shihni veten tuaj para se të drejtoni gishtin drejt ekstremeve në Europë. Ka shumë reforma që nuk janë kryer ende. Kërkohen me insistim rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ka ende shumë për të bërë dhe kjo dihet”.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/