Në vitin 2016, një fabrikë veshjesh apo këpucësh në Shqipëri, e cila shet për eksport, i bënte llogaritë me kursin e këmbimit 1 euro = 140 lekë. Në mënyrë tipike, nëse një fabrikë prodhon këpucë, fitimi i saj bruto është rreth 2 euro për palë.

Këto 2 euro, apo 280 lekë, shërbenin për të paguar rrogën e punonjësve, qiranë, sigurimet shoqërore, taksa të tjera apo fitimet e pronarit, që të gjitha këto shpenzime në lekë.

Gjashtë vjet më vonë, 1 euro kushton 113 lekë, 24% më lirë se sa atëherë. Në mënyrë që fabrika e veshjeve apo këpucëve të paguajë të njëjtat rroga si atëherë, asaj i duhet të rrisë të ardhurat nga shitja e punës së vet me 24%. Kjo, vetëm për të mbuluar humbjet nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit. Por nëse fabrika do të duhet të rrisë pagat, atëherë ose eficienca e saj në punë duhet të rritet më shumë se sa 24%, ose çmimi i shitjes duhet të rritet me norma të jashtëzakonshme.

Gjatë kësaj periudhe kostot e tjera të të bërit biznes janë rritur. Taksat që qeveria kërkon nga të punësuarit, dhe që në mënyrë të rrejshme i parashtron si “pagë minimale”, janë rritur. Kostot e transportit dhe të karburantit janë rritur si pasojë e taksave të qeverisë “Rama”. Dhe kostoja e jetesës së punonjësve, fjala vjen, fatura e tyre e energjisë elektrike apo e ujit, është rritur, gjë që kërkon të ardhura më të larta për të jetuar.

Por problemi më i madh nga të gjitha duket se është kursi i këmbimit.