Për herë të parë, kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë e pa monedhën europiane Euro nën kufirin e 100 Lekëve. Edhe pse në tregun e lirë valutor kishte disa muaj që ky kufi ishte thyer, tashmë rënia e monedhës së përbashkët europiane është konfirmuar edhe zyrtarisht.
Në përditësimin e fundit Euro këmbehet me 99.95 Lekë duke vendosur një minimum të ri historik. Prej vitit 2020, kursi i këmbimit Euro-Lek ka rënë me pothuajse 20%. Rënia fortë e Euros nisi që në muajin maj, por disa ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë bënë që kursi i këmbimit të stabilizohej.
Në një dalje publike pak ditë më parë Guvernatori Gent Sejko tha se situata ishte e qëndrueshme dhe se po mbahej në vëzhgim nga Banka Qendrore. Ekspertët thonë se rënia e Euros është e ndikuar nga fluksi i lartë i turistëve të huaj në kulmin e sezonit turistik që sjellin valutë të huaj në vend si dhe nga investimet e huaja sidomos në ndërtim dhe blerje të pasurive të patundshme.
Rënia e Euros ka edhe efektet e saj negative tek eksportuesit dhe fasoneritë. Dollari amerikan këmbehet me 91.47 Lekë ndërsa Paundi britanik ka zbritur në 116.66 Lekë.