Euro ka zbritur sërish sot nën kuotën e 107 lekëve, duke iu rikthyer trajektores rënëse, që ishte ndalur disi pas ndërhyrjes në treg të Bankës së Shqipërisë ditë më parë, e cila bleu 15 milionë euro.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 106.91 lekë, me rënie prej 0.13 lekë në raport me të premten e javës së kaluar.

Më e fortë ishte tkurrja e dollarit, që zbriti në 97.75 lekë, ose 0.48 lekë më pak se të premten.

Në datën 9 qershor, euro arriti minimumin historik të të gjitha kohërave, në 105.62 lekë.

Në krahasim me fillimin e vitit euro është nënçmuar me 10.55 lekë, ose me 9%.

Ndërsa në raport me fundin e qershorit të vitit të kaluar, euro tregtohet 12.5 lekë më pak, me rënie prej 10.5%.

Arsyet

Sipas aktorëve të tregut, rënia e fortë e euros lidhet me dy faktorë:

-Së pari, fluksi i lartë i valutës informale që ka rritur ndjeshëm ofertën e euros në treg. Muajt e fundit janë shtuar blerjet e pasurive të paluajtshme në jug të vendit, ku transaksionet janë shpesh në cash. Kërkesa e lartë ka frytë dhe çmimet, që kanë arritur deri në 3 mijë euro për metër katror.

-Arsyet e dytë lidhet me efektet sezonale, teksa numri i turistëve është shtuar ndjeshëm, duke u bërë një tjetër faktor që ka ndikuar në qarkullimin e valutës në treg. Të patën deri në gusht, efektet sezonle pritet që të ushtrojnë presion në nënçmimin e euros.

Kush fiton dhe kush humb

Humbësit më të mëdhenj janë eksportuesit. Për një euro, ata arkëtojnë më pak se 107 lekë, nga 119 lekë një vit më parë. Eksportuesit, sidomos fasoni janë ankuar vazhdimisht se janë në situatë të vështirë për shkak të shtimit të kostove e mungesës së fuqisë punëtore, por goditjen e fundit po ua jep dhe zhvlerësimi i euros. 

Ata kanë kërkuar vazhdimisht nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave arsyet e zhvlerësimit të fortë, ndërsa Banka i qëndron argumentit se kjo ka ardhur nga përmirësimi i ekonomisë. 

Ata që paguhen në euro janë një tjetër kategori, që e pësojnë, pasi kur konvertojnë eurot po marrin gjithnjë e më pak lekë.

Turistët, sidomos ata të Kosovës, që janë pushues tradicionale dhe vijnë shpesh, po e ndiejnë më tepër, pasi përveç shtrenjtimit të çmimeve marrin më pak lekë kur konvertojnë eurot.

Të fituar janë importuesit, që po i blejnë produktet gjithnjë e më lirë, teksa kjo nuk duket të reflektohet në çmime më të lira te konsumatorët fundorë, përkundrazi në maj inflacioni iu rikthye rritjes.

Kredimarrësit që kanë hua në euro dhe paguhen në lekë dalin të fituar, pasi u duhen më pak para për të blerë të njëjtën sasi valute.

Qeveria është i fituari tjetër për shkak të uljes së kostos së shërbimit të borxhit në valutë. /Monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë