Në një fjalë të mbajtur sot në Komisionin për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, eurodeputeti Andrey Kovatchev theksoi se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri duhet të prodhojë rezultate më konkrete dhe të matshme.

Ai nënvizoi se institucione të drejtësisë si SPAK duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe efikase, të lira nga çdo presion politik.

Kovatchev kërkoi që hetimet në vijim, përfshirë ato ndaj Zv. Kryeministres, të vazhdojnë pa asnjë ndërhyrje, duke theksuar se zbatimi i ligjit nuk mund të jetë selektiv.

Sipas tij, shqyrtimi i kërkesave për heqjen e imunitetit duhet të bëhet pa vonesa nga Parlamenti, ndërsa shprehu shqetësim për amendamentet në Kodin e Procedurës Penale që synojnë të mbrojnë zyrtarët nga pezullimi gjatë kohës që janë nën hetim.

Fjala e plotë:

“Lufta kundër korrupsionit duhet të japë rezultate edhe më konkrete. Institucione si SPAK duhet të veprojnë të pavarur dhe në mënyrë efecientë, të lira nga presioni politik.

Hetimet që janë në vijim, përfshirë atë të Zv. Kryeministres duhet të vazhdojnë pa asnjë ndërhyrje. Zbatimi i ligjit nuk mund të jetë selektiv. Shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imuniteti pa asnjë vonesë është përgjegjësi e parlamentit. Jam i shqetësuar për amandamentet në Kodin e Procedurës Penale për të mbrojtur zyrtarët nga pezullimi kur janë nën hetim”.