Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, eurodeputeti kroat Tonino Picula, ka dhënë një mesazh të qartë për Beogradin: rruga drejt Bashkimit Evropian nuk ekziston pa njohjen e Kosovës dhe heqjen dorë nga politika e “botës serbe”.
Në një intervistë për median kroate Jutarnji list, Picula vlerësoi se presidenti serb Aleksandar Vuçiç po përpiqet të destabilizojë situatën në veri të Kosovës, por pa përdorimin e drejtpërdrejtë të forcës, pasi – sipas tij – “i ka shpenzuar të gjitha kreditë” që nga sulmi i armatosur në Banjskë në vitin 2023.
“Vuçiç po e trajton BE-në si një bankomat”, deklaroi Picula. Ai shtoi se qytetarët serbë janë të rrethuar nga një propagandë që glorifikon lidhjet me Moskën dhe Pekinin, ndërsa demonizon Perëndimin dhe Bashkimin Evropian. “Nëse do të zhvillohej nesër një referendum për anëtarësimin në BE, nuk do të pritej një rezultat mbresëlënës”, shtoi ai.
Eurodeputeti theksoi gjithashtu se çdo përpjekje për destabilizim mund t’i kushtojë shtrenjtë Vuçiçit, duke paralajmëruar se përdorimi i dhunës mund të sjellë një ndryshim të fortë në qëndrimin e institucioneve evropiane ndaj tij.
Në fillim të majit, Parlamenti Evropian do të votojë raportin për Serbinë, ku do të pasqyrohen të gjitha sfidat dhe pengesat që Beogradi nuk ka arritur ende t’i kapërcejë për të përparuar drejt integrimit evropian.