25 nëntor 2015 – Eurodeputetja franceze, Nadine Morano, e cila përfaqëson Partinë Republikane të Francës, ka lëshuar një deklaratë të rëndë për sulmuesin e kombëtares franceze, Benzema, duke kërkuar largimin e tij nga “Gjelat”.
“Ishte duke u luajtur ende himni i Marsejezës, kur Benzema ka pështyrë të tokë, duke treguar një gjest të shëmtuar, që ka ofenduar viktimat e pafajshme të sulmeve të fundit në Paris. Kërkoj që sulmuesi të largohet sa më parë nga kombëtarja franceze pasi do të ishte një turp, nëse ky i fundit do të ishte pjesë e Francës”.
Nga pamjet filmike, Benzema në sfidën mes Realit dhe Barcelonës, në fund të Marsejezës pështyn në tokë, por himni nuk po dëgjohej më në sfond, ndaj dhe aludimet e eurodeputetes lënë dyshime.
Në të shkuarën e saj, Nadine Morano, ka lëshuar deklarata të tjera që kanë krijuar polemika si shprehja e saj e fundit: “Franca është një vend që i përket racës së bardhe kristiane, ndaj dhe duhet me çdo kusht të bëjmë të pamundurën për të mos e kthyer në një vend mysliman”. Deklaratat e deputetes së Partisë Republikane, gjithnjë kanë krijuar atmosfera “të nxehta”, pasi Nadine Morano nuk resht së “thumbuari” persona të ndryshëm ku “viktima” e fundit është Karim Benzema.
/portali DurresLajm/