MOTI I KEQ – Europa është pushtuar nga dëbora, që ka krijuar vështirësi të mëdha në transportin ajror dhe atë rrugor. Në aeroportin e Londrës situate duket mjaft e rënduar pasi rreth 100 fluturime janë anulluar. Ndërkohë parashikimi për ditën e nesërme është edhe më i keq, pasi të dielën pritet të anullohen 260 udhëtime.
Që nga e premtja, shumë pasagjerë që nuk kanë mundur të largohen nga aeroporti londinez kanë fjetur përtokë. Një prej pasagjerëve që ka mbetur i bllokuar në aeroport shprehet se megjithëse u janë servirur dyshekë dhe mbulesa ai nuk arrin të flejë pasi dritat qëndrojnë të ndezura.
Ndërkohë e gjithë Europa duket e mbërthyer në darët e të ftohtit. në paris temperatura ka zbritur poshtë zeros dhe 40% e udhëtimeve janë anulluar. 52 departamente janë në gjendje gadishmërie për të përballuar emergjencat prej kohës së keqe. Rrugët e mbuluara nga dëbora kanë shkaktuar deri tani 5 të vdekur.
Edhe veriu i Italisë është mbuluar nga dëbora. Në Milano, komunat janë në gjendje gadishmërie, ndërkohë që në transportin hekurudhor deri tani nuk janë konstatuar probleme.
E vështirë paraqitet situata edhe në lindje të kontinentit të vjetër. Lëvizja në akset rrugore të Polonisë është mjaft e reduktuar, ndërkohë që edhe në Kroaci paraqiten probleme të shumta. Vendi ballkanik është goditur nga një stuhi e fuqishme, por që sipas sinoptikanëve do të largohet shpejt për t’i lënë vendin kohës së mirë.