Tirana dihet që ka mbyllur marrëveshjen gojore me Tefik Osmanin që mbrojtësi të vishet bardheblu për një sezon. Nuk ka zyrtarisht kontratë të bërë publike, por thuhet se pas ndeshjeve të Europës, korçari do të vishte bardheblu.
Megjithatë, një e mirë e ka edhe një të keqe, sepse Tefik Osmani rrezikon të shkojë në gusht te Tirana, që do të thotë se në qoftë se Teuta kualifikohet në turin e dytë të Europa League-s, i bie që Osmani do të veshë fanellën e Tiranës shumë vonë dhe të humbasë fazën përgatitore.
Kjo, në fakt, nuk e kënaq trajnerin Ardian Mema, i cili ka kërkuar grupin e plotë para nisjes për në Ohër. Nëse ndodh kështu, palët mund të prishin marrëveshjen që kanë bërë që në qershor.
Gjithsesi, te Tirana janë të bindur se Osmani do të vishte bardheblu menjëherë pas ndeshjeve të Europës. Mbetet për t’u zbuluar në ditët në vazhdim nëse Osmani do të jetë lojtar i Tiranës apo jo.
Aktualisht, Tefik Osmani është në Bansko të Bullgarisë dhe po përgatitet me Teutën për të luajtur ndeshjet evropiane. Durrsakët kanë përballë Ventspilsin, një skuadër, e cila është e vështirë për t’u larguar. Menjëherë pas dy ndeshjeve të meskorrikut, lojtari do të dalë futbollist i lirë dhe mund të prezantohet te Tirana.





