Me ecurinë e shfaqur deri më sot duket qartë se Teuta ka objektiva të mëdhenj sivjet. Ndërsa ëndrra e madhe është kampionati, Kupa e Shqipërisë duket një trofe disi më i lehtë për t’u arritur, për të kremtuar në mënyrën më të mirë edhe 100-vjetorin e themelimit të klubit.

 Edhe pse shpesh, me të drejtë, nga drejtuesit e Teutës është deklaruar si synim zona e Europës, në realitet, skuadra është ndërtuar për të synuar një trofe. Me shumë mundësi, kalimi i turit të Kupës ndaj Erzenit do të jetë formalitet. Ndërkohë që në dy takimet e radhës në Superiore me Luftëtarin dhe Vllazninë, Teuta kërkon pikë të plota.

Blutë këtë kampionat me Luftëtarin kanë fituar 3-1 në shtëpi, ndërsa në Gjirokastër janë ndarë në barazim pa gola, kurse me shkodranët Teuta ka ndarë pikët në dy ndeshjet direkte, në dy fazat e para të kampionatit. Me pak fjalë, mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë, të mërkurën që vjen, për Teutën 10 ditët pasuese do të jenë shumë të rëndësishme për të ardhmen e sezonit.