Sekondat e fundit të ndeshjes kanë ndryshuar gjithçka për korçarët në stadiumin “Maksimir” të Dinamos së Zagrabit, teksa këta të fundit kanë barazuar me anë të Angelo Henriquez në të 94’.
Ndeshja mes kroatëve dhe skuadrës së vetme të Superligës të mbetur në kupat europiane ka folur në favor të “ujqërve të dëborës”, të cilët në minutën e 37’ kaluan në avantazh me anë të Latifit.
Më herët Skënderbeu arriti të shënonte përmes një kombinimi të Latifit dhe Vangjelit, por anësori zhvlerësoi gjithçka për pozicion jashtë loje, një veprim i diskutueshëm që mbetet për t’u rishikuar.
Momenti i mirë i korçarëve vazhdoi me goditjen e bukur të Radas, por portieri i Dinamos largoi topin.
Goli që prishi ekuilibrat erdhi nga Liridon Latifi, futbollisti që do të largohet nga Skënderbeu pas aventurës europiane.
E ndërsa pritej fishkëllima finale në “Maksimir” ka ardhur goli i barazimit nga Henriquez.
Sfida e kthimit do të luhet në Elbasan Arena pas një jave, me ekipin e kualifikuar që shkon në grupet e Europa League, por barazimi 1-1 në transfertë favorizon Skënderbeun.
Europa League, Skënderbeu barazon në Zagreb
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit