28gusht 2015 – Nga Lisbona në Moskë me një ndalesë në Stamboll, Skënderbeut i duhet t’i bjerë kryq e tërthor kontinentit për të kompletuar fazën e grupeve të Europa League ku u shortua në grupin H me tre emra të mëdhenj, Sportingun e Lisbonës, Lokomotivën e Moskës dhe Besiktasin. Në shortin e hedhur në Montecarlo dora e Alexander Frai e vendosi Skënderbeun e vazos së katërt me tre skuadra të njohura europiane dhe në letër dukshëm më të favorizuara.Kampionët e Shqipërisë duhet të bëjnë llogaritë me legjendarët portugezë të drejtuar nga Jorge Jesus, të cilët nuk arritën të siguronin biletën e grupeve të Europa League pasi u eliminuan nga CSKA-ja e Moskës, ndërsa Besiktash vjen në këtë kompeticion si skuadra që është renditur e treta në kampionatin turk. Kockë e fortë për korçarët do të jenë edhe rusët e Lokomotivës së Moskës, të cilët kanë në përbërje disa lojtarë të Kombëtares. Ndeshjet e para të grupeve do të luhen në datën 17 Shtator ku Skëndërbeu do të presë në “Elbasan Arena” Besiktasin. Në 1 Tetor, korçarët udhëtojnë drejt Moskës për të sfiduar Lokomotivën, ndërsa 21 ditë më pas do të luajnë një tjetër transfertë të vështirë në Lisbonë kundër Sportingut.
Ndeshja e kthimit mes portugezëve dhe kampionëve të Shqipërisë është caktuar në datën 5 Nëntor, ndërsa në 26 Nëntor djemtë e Josës sfidojnë Besiktasin në Stamboll. fazën e grupeve të Europa League, bardhekluqtë do ta mbyllin në “Elbasan Arena” kundër Lokomotivës së Moskës. Dy të parat e çdo grupi do të kualifikohen për në fazën e 1/16 ku do të shortohen edhe 8 skuadrat e treta të grupeve të Champions League.
Rivalët e Europa League vlerësojnë Skënderbeun
Beshiktashi do të jetë një prej 3 skuadrave me të cilat do të ndeshet Skënderbeu në fazën e grupeve të Europa League. Formacioni nga Stambolli ka një emër të madh në arenën europiane dhe paraqet një shkallë shumë të lartë vështirësie për të besuarit e Mirel Josës. Këtë vere Beshiktashi afroi në skuadër sulmuesin gjerman Mario Gomez dhe portugezin Ricardo Quaresma, ndërsa trajneri Senol Gunes mund të mbështetet edhe te lojtarë të tjerë të njohur si Andreas Beck, braziliani Rodolfo por edhe te mesfushori i Kombëtares Turke Gokhan Tore. Por edhe pse kanë një skuadër të një niveli shumë më të lartë se Skënderbeu, drejtuesit e Beshiktashit i vlerësojnë maksimalisht kampionët e Shqipërisë. Në një deklaratë nga Montecarlo pas hedhjes së shortit një prej antarëve të bordit drejtues të Beshiktashit Erdal Torunogullari u shpreh me fjalët më të mira për Skënderbeun.“Ne i njohim shumë mirë Sportigun e Lisbonës dhe Lokomotivën e Moskës, ndërsa për Skënderbeun nuk kemi shumë informacion, por fakti që ata kanë mbërritur deri këtu do të thotë se kanë një skuadër të mirë. Do të vlerësojmë maksimalisht cdo kundërshtar pasi duam të shkojmë larg në Europë këtë sezon”.Për shortin foli edhe mesfushori i Lokomotivës së Moskës, Aleksei Miranchuk, i cili shkëputi një koment edhe për Skënderbeun.“Ne dëshironim të ishim në të njëjtin grup me Borussian e Dortmundit por gjithsesi jemi të kënaqur me shortin. Do të kemi përballë një skuadër nga Shqipëria që shumë mund ta konsiderojnë si një kundërshtar të lehtë, por unë mendoj se në këtë fazë të kompeticionit nuk ka ekipe të dobëta”.