Bazat ushtarake dhe personeli amerikan në të gjithë Evropën janë në gatishmëri të shtuar, pasi informacioni i fundit nga inteligjenca amerikane i paralajmëroi ata për një sulm të mundshëm terrorist që synon objektet apo personelin.
Një zyrtar amerikan i mbrojtjes e konfirmoi lajmin të hënën për Zërin e Amerikës se bazat ushtarake në të gjithë Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) janë paralajmëruar për një sulm të mundshëm.
Zyrtari nuk dha detaje për përmbajtjen e informacionit që nxiti rritjen e masave të sigurisë. Ndërkaq zyrtarë që merren me antiterrorizmin, nga shumë vende, kanë paralajmëruar për kërcënim në rritje, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me Olimpiadën e ardhshme Verore në Paris.
Një deklaratë e publikuar të hënën nga EUCOM-i tregon se masat e shtuara të sigurisë janë rezultat i një kombinimi faktorësh.
“Rritja e gadishmërisë nuk lidhet me një kërcënim të vetëm, por nga shqetësimi i ngritur nga një mori arsyesh të kombinuara si ngjarjet e mëdha duke përfshirë Kampionatin Evropian të futbollit dhe Lojrat Olimpike, së bashku me një kërcënim në rritje të sulmeve të mundshme nga individë të këqij kundër objektivave të ndryshëm joushtarake në Evropë”, thuhet në deklaratë.
EUCOM-i “këshillon personelin në Evropë të tregojë kujdes në çdo kohë, të raportojë aktivitetin e dyshimtë, të ndjekë këshillat për udhëtim që jep Departamenti i Shtetit dhe të ndërmarrë masa të shtuara për zbutjen e rrezikut personal”.
Zyrtari amerikan i mbrojtjes theksoi se ushtria “po ndërmerr hapa shtesë për t’u siguruar që trupat amerikane të janë të kujdesshme si gjatë aktiviteteve të punës ashtu edhe gjatë aktiviteteve personale.”
Një raport i publikuar muajin e kaluar nga firma e sigurisë kibernetike ‘Recorded Future’ paralajmëroi se pavarësisht rrezikut të lartë të sulmeve kibernetike, kërcënimi më i madh për Lojërat Olimpike të Parisit mbetet mundësia e sulmeve terroriste.
Autoritetet franceze kanë ndërprerë tashmë të paktën dy komplote terroriste. Në njërin nga rastet, i dyshuari 18-vjeçar u akuzua për komplot për të kryer një sulm në emër të Shtetit Islamik, në një prej stadiumeve që do të përdoret për garat olimpike.
Zyrtarët e lartë amerikanë të antiterrorizmit kanë pranuar gjithashtu se organizata terroriste Shteti Islamik, gjithashtu i ka shtuar aktivitetet gjatë muajve të fundit.
Pjesa më e madhe e shqetësimit është përqëndruar në degën afgane të grupit, të njohur si IS-Khorasan.
“Si ISIS-i ashtu dhe ISIS-Khorasani … kanë shfaqur aftësi dhe qëllim për të kryer operacione jashtë vendit”, tha zëvendës këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare Jen Daskal në një konferencë kundër terrorizmit në Omaha të Nebraskës, javën e kaluar.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Christine Abizaid, paralajmëroi gjithashtu për aktivitetin e shtuar të IS-Khorasan-it, në muajin maj.
“Kjo aftësi e veprimtarisë globale të ISIS-it, edhe pa patur nën kontroll një territor, aftësia për të arritur, përmes internetit, një rrjet mbështetësish, disa prej të cilëve do të kryejnë sulme, është mjaft shqetësuese”, tha ajo në një konferencë sigurie në Doha.
Zonja Abizaid më tej e quajti aftësinë e IS-Khorasan-it për të forcuar praninë në Afganistan si “aftësinë më të rëndësishme që kemi parë në rrjetin global të ISIS-it, në tre vitet e fundit”.
Grupi ‘IS-Khorasan’ mori përgjegjësinë për sulmin e janarit në një shërbim përkujtimor në Kerman të Iranit. Sulmi mori jetën e rreth 90 njerëzve. Ai mori përsipër gjithashtu edhe sulmin e marsit në një sallë koncertesh në Moskë që vrau më shumë se 140 njerëz.
Zyrtarët amerikanë të antiterrorizmit kanë ngritur gjithashtu shqetësime se ‘IS-Khorasan-i’ është bërë më i aftë në përdorimin e rrjeteve kriminale transnacionale dhe rrjeteve të kontrabandës me qenie njerëzore, duke treguar interesim për dërgimin e mundshëm të operativëve të tij në Shtetet e Bashkuara./VOA