DURRËS, 13 qershor 2013 – Agjencia e lajmeve "Dyrrah",  një javë më parë ka botuar një artikull “Amfiteatri ndër 14 monumentet më të rrezikuara në Europë”.

Shpresë për Durrësin më 16 qershor, kur do të zgjidhen 7 nga 14 vendbanimet më të rrezikuara për t’u financuar nga BE-ja.

Amfiteatri i Durrësit është përzgjedhur dje i pari ndër shtatë sajtet më të rrezikuara në Europë. Kjo ka qenë deklarata zyrtare e bërë dje nga organizata lider për mbrojtjen e trashëgimisë në kontinentin tonë, "Europa Nostra".

Gjatë një konference për mediat mbajtur në Athinë, organizata ka bërë me dije se përpos amfiteatrit të Durrësit, janë edhe sajte me rëndësi si: zona tampon në qendrën historike të Nikosias në Qipro; fortifikimet e shek. XVII të Vauban-it në Briançon në Francë; manastiri i Rilindjes i San Benedetto Po në Itali; manastiri i shek. XV në Setúbal në Portugali, peizazhi historik i minierave të Rosia Montana në Rumani dhe kisha armene e Shën Gjergjit në Mardin në Turqi, janë shpallur si 7 monumentet më të kërcënuara në Europë. Njoftimi u bë dje nga drejtuesit e Organizatës Europiane të Trashëgimisë “Europa Nostra”, së bashku me European Investment Bank Institute, në një konferencë shtypi të mbajtur në Athinë. Sipas organizatorëve, këto perla të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Europës janë në rrezik, disa për shkak të mungesës së fondeve apo ekspertizës, të tjerët për shkak të planifikimit joadekuat, neglizhencës, fatkeqësive natyrore apo konflikteve politike. Kjo është edhe arsyeja pse kërkohet një veprim urgjent. 

“Këto monumente dhe site janë përzgjedhur jo vetëm për shkak se ato tregojnë një histori mahnitëse në lidhje me të kaluarën tonë të përbashkët, duke ngulitur ndjenjën e përkatësisë në familjen europiane, por edhe për shkak se ato janë shumë të vlefshme për komunitetet lokale, të cilat janë të angazhuara fuqimisht në shpëtimin e tyre. Shpëtimi i këtyre qendrave do të veprojë gjithashtu si një katalizator për rivitalizimin ekonomik dhe social të qyteteve apo zonave të tëra. Kjo është arsyeja pse “Europa Nostra” fton shumë partnerë publikë dhe private, në nivel lokal, rajonal, kombëtar dhe europian, për të bashkuar forcat për të siguruar një të ardhme premtuese për këto monumente të zgjedhura”, deklaroi Plácido Domingo, Presidenti i “Europa Nostra”-s.

“Investimet në ruajtjen e trashëgimisë kontribuojnë  në zhvillimin e qëndrueshëm dhe në fund të fundit për zhvillimin dhe punësimin. Instituti BEI, së bashku me “Europa Nostra” dhe partnerët e tjerë, do të ndërmarrin përpjekjet e nevojshme për të vlerësuar qendrat e zgjedhura dhe për të kontribuar në zhvillimin e planeve reale të veprimit, në bashkëpunim të ngushtë me subjektet kombëtare dhe lokale, publike dhe private”, shtoi Rémy Jacob, drejtori i Përgjithshëm i BEI dhe dekan i Institutit BEI.

Mësohet se “Europa Nostra” dhe European Investment Bank Institute, themelues të programit “7 më të rrezikuarat”, pas verës, do të ndërmarrë misione shpëtimi për këto vende të trashëgimisë. Më konkretisht, ekspertët e caktuar nga BEI dhe Këshilli i Bankës Europiane për Zhvillim (CEB) do të sigurojnë analiza dhe këshilla se si mund të merret financimi, për shembull, përmes fondeve të Bashkimit Europian, ose në rastet e duhura, të kredive. Planet fillestare të veprimit të shpëtimit do të prezantohen në Konferencën e Politikave Europiane të Trashëgimisë, organizuar nga “Europa Nostra”, në Bruksel më 5 dhjetor vitin 2013.

“Për 50 vjet, ‘Europa Nostra’ ka qenë aktive në ruajtjen e trashëgimisë së rrezikuar në të gjithë Europën, nga siti i lashtë i Delfit në Greqi në fillim të viteve 1980 në qytetin historik të Akuilas në Itali, në 2010-n. Ne jemi krenarë që këtë vit, për herë të parë, kemi nisur një skemë mbrojtjeje dhe një skemë operacionale në partneritet me një institucion të tillë prestigjioz financiar, si Banka Europiane e Investimeve. Aleanca jonë demonstron njohjen nga institucionet e BE të përgjegjësisë së saj kundrejt ruajtjes së trashëgimisë kulturore të Europës, siç theksohet në Traktatin e Lisbonës (neni 3.3). Ne presim që programi ‘7 më të rrezikuarat’ të inkurajojë të tjerët për të mbështetur përpjekjet tona për të shpëtuar dhe për të promovuar trashëgiminë unike të Europës”, përfundoi Denis de Kergorlay, president ekzekutiv i “Europa Nostra”.

Shtatë monumentet më të rrezikuara janë përzgjedhur nga bordi i “Europa Nostra”-s mes 14 siteve të përfshira në një listë të ngushtë nga një panel këshillimor i përbërë nga ekspertë ndërkombëtarë. Këtë vit, organizatat e shoqërisë civile dhe organet publike nga 21 vende europiane dorëzuan 40 kandidatura.

http://www.artdaily.org/index.asp?int_sec=2&int_new=63219#.UbmW5eeLDgM